Edhe Shqipëria bojkoton ceremoninë e ndarjes së Nobelit për Handken

Ambasada e Shqipërisë në Suedi, përmes një letre dërguar organizatorëve të Ceremonisë së Çmimit Nobel, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Lajme

08/12/2019 17:50

Ky vendim, sipas shkresës së Ambasadës, thotë se vjen, ndër të tjera, “si shenjë proteste kundër përkrahjes dhe mbështetjes që z. Handke i ka dhënë Sllobodan Millosheviqit, këtij kasapi të Ballkanit, i cili urdhëroi masakra të shumta gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë”.

“Ambasadori i Shqipërisë do të bojkotojë pjesëmarrjen në ceremoninë e dhënies së çmimit. Ai e ka marrë ketë vendim mbi të gjitha për të shprehur solidaritetin me vuajtjet e asaj kohe të vëllezërve shqiptarë në Kosovë, të cilët e pësuan tepër rëndë nga gjenocidi serb i Millosheviqit”, shkruan në njoftimin e publikuar nga kjo Ambasadë.

Ndryshe, të shtunën, Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se delegacioni i Kosovës do të bojkotojë këtë ceremoni për faktin se Handke, laureati i Çmimit Nobel për Letërsi 2019, ka mbështetur politikat e liderit të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

Ai i kishte bërë thirrje edhe delegacionit të Shqipërisë që të veprojë njëjtë.