Edhe Nisma përkrah protestën kundër formimit të Gjykatës Speciale

Protesta e organizuar nga shoqata e dala nga lufta e UÇK-së, kundër themelimit të Gjykatës Speciale, e cila pritet të mbahet nesër do të përkrahet edhe nga partia opozitare Nisma Social Demokrate e Kosovës.

Lajme

16/06/2015 15:06

Kjo parti, me anë të një komunikate, ka thënë se themelimi i Speciale do t’i ndjekë krimet e pretenduara mbi baza etnike. Kjo parti ka vlerësuar se ndryshimet kushtetuese që do të bëhen për themelimin e Gjykatës Speciale cenojnë sovranitetin e shtetit.

“NISMA për Kosovën konsideron se vet kërkesa për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do t’i ndjek krimet e pretenduara mbi baza etnike e jo krimet e luftës të kryera në Kosovë është një pretendim i pashembullt. Andaj NISMA e mbështet protestën e nesërme e cila është thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së”.

“NISMA për Kosovën konsideron se ndryshimet kushtetuese që po i përgatiten Kosovës rrënojnë sovranitetin e vendit, sovranitet i fituar pas flijimeve të shumta, për çka kishim edhe një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare”.

“Sovraniteti buron nga populli dhe askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe suprimoj atë, madje as Kuvendi i Republikës së Kosovës”.

“Ju bëjmë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të NISMA-s për Kosovën si dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet nesër me fillim nga ora 12:00”.

“Të gjithë në mbrojtje te sovranitetit të shtetit!”, thuhet në komunikatë.