Edhe 100 gjyqe – Pastërti çlirimtare

Shkruan: Agron Hoti

Opinion

21/07/2019 15:00

Nuk do shumë analizë për të kuptuar, që po të mos futeshin amerikanët në luftën e dytë botërore për ta çliruar Euroazinë, ajo sot do të kishte vetëm dy gjuhë: gjermanishten dhe japonishten.

Ky ishte projeksioni gjermano-japonez, i cili sigurisht që binte ndesh me doktrinën amerikane që Euroazia me asnjë çmim të mos bie nën asnjë hegjemon, qoftë ai gjerman, rus, kinez, arab apo japonez. Doktrina e njëjtë vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë derisa SHBA-të të jenë superfuqi.

Për shkaqe të ndryshme dhe të shumta si dhe në varësi të fuqisë së pushtuesit jo të gjithë popujt ia kanë dalë të çlirohen pa ndihmën e ndonjë populli apo aleance popujsh. Të pushtuar nga Gjermania dhe Japonia edhe shtete si Franca e Kina, s’arritën që gjatë luftës së dytë botërore të çlirohen pa ndihmën amerikane.

Edhe pse Japonia veç ishte pranë kapitullimit, sepse SHBA-të kishin bërë Tokion me rrethinë shkrumb e hi, për të përshpejtuar kapitullimin e saj, por shumë më tepër për t’i dhënë sinjal kërcënimi Bashkimit Sovjetik – i cili kërkonte hise në ndërtimin e paqes në Azinë Lindore – SHBA hodhi dy bomba atomike në Japoni me ç’rast kjo e fundit automatikisht kapitulloi, përfundimisht u arrit paqja globale sipas kushteve amerikane dhe u ndal çdo synim sovjetik për të bashkë-ndërtuar paqen në Azi Lindore.

Sigurisht që as francezët e as kinezët – me aq sa patën mundësi – nuk ndejtën duarkryq përballë katrahurës gjermane dhe japoneze. Porse çlirimi pa aleatë shihej i pamundshëm. Prandaj, teza se -sipas ca qarqeve kosovare – veç shqiptarët nuk arritën të çlirohen vet nuk qëndron, sepse pa ndihmën amerikane Euroazia as që do të mund të ishte çliruar.

Edhe populli shqiptar, i rrezikuar të zhbëhej nga projeksionet osmane dhe sllavo-greke, asnjëherë s’ndejti duarkryq, dhe me aq sa pati dhe mundi dha miliona njerëz për t’u çliruar edhe pse jo gjithmonë me sukses të plotë. Dhe duke qenë i tillë, duke bërë historikisht luftë vetëmbrojtëse e asnjëherë ekspansioniste siç pothuaj bënë pothuaj shumica e popujve evropianë dhe jo vetëm, shqiptarët arritën që përfundimisht të fitojnë besimin e pothuaj të gjitha kombeve të zhvilluara që sot udhëheqin botën siç qe rasti me NATO-n, por edhe njohja dhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë nga SHBA.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si formacioni politiko ushtarak më i suksesëshëm në historinë shqiptare pas Skenderbeut, ia arriti të prishë shumë plane sllavo-ruse që synonin zhbërjen përfundimtare shqiptare, të tentuar së fundi edhe nga nazisti Millosheviq.

Ramush Haradinaj me shokë, përpos që u dolën në ballë planeve sllavo-greke nuk kurseu veten, nuk kurseu as gjakun e vëllezërve për atdhe që sot frymon shqip. Sigurisht që kemi edhe shumë punë për të bërë për të përnjomur përpjekjet tona rreth një boshti të përbashkët që projekton e jo vetëm reagon.

Në vend që të dënohet fundamentalizmi dhe nazizmi ortodoks sllavo-grek që së bashku gjenociduan dhe dëbuan nga trojet e tyre miliona shqiptarë në 150 vitet e fundit, për të disatën herë po dyshohet ndërkombëtarisht për Heronjët shqiptarë (siç janë Ramushi me shokë), për njerëzit pra që dhanë çdo gjë kundër projeksioneve të super-orkestruara sllavo-greke, të cilat datojnë që mbi 150 vite.

Bota njohu dënimin e nazizmit gjerman, fashizmit italian, hegjemoninë e synuar japoneze në Azi, gjenocidin turk kundër armenëve, gjenocidin serb në Bosnje e Hercegovinë, krimet e Kmerëve të Kuq në Kamboxha, krimet në Ruanda, etj. Por, bota kurrë nuk njohu gjenocidin e Stalinit, i cili gjenocidoi e zhvendosi nga tokat e tyre miliona njerëz sidomos në Kaukaz (bile thuhet që Stalini të ketë këtë vrarë edhe më shumë njerëz se sa Hitleri) dhe me të cilat krime su mor kurrë askush. E Stalini ishte një projektues i qartë pansllavizmit nën maskën e Internacionales së proletariatit me synim pushtimin dhe drejtimin e botës. Edhe pse këto projeksione të errëta dështuan, askush kurrë su dënua për krim kundër njerëzimit.

Ndërkohë që Serbia – e mbështetur edhe sot sikur më parë nga Rusia dhe qarqe të ndryshme ndërkombëtare – ishte, është dhe vështirë të bëhet tjetër, përpos argat i Rusisë në Ballkan, që si synim kryesor ka përmbysjen e asaj që sot njohim si projekt e Bashkimit Evropian dhe kthimin e hegjemonisë ruse në Ballkan.

E bashkësia ndërkombëtare ra nga provimi pikërisht nga fakti se nuk arriti asnjëherë ta ulë në gjunjë Serbinë dhe ta detyrojë të pranojë fajin e gjenocidit, pastaj ta detyrojë Serbinë të paguajë reparacione miliardëshe për dëmet që u bëri shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe sllovenëve. Është pikërisht ky mosndëshkim i Serbisë që e bën këtë të fundit të tentojë ta luajë rolin tashmë të viktimës, ndërkohë që Evropa në ndërdijen e saj ishte dhe është plotësisht e vetëdijshme se kush nisi luftërat në Jugosllavi. Është pikërisht ky mosndëshkim që nuk sjell pendim në Serbi, ndërkohë që popuj si gjermanët, japonezët u penduan thellë për dëmet që i kishin shkaktuar njerëzimit.

Ta kemi të qartë, shqiptarët e Kosovës nuk e nisën luftën çlirimtare pse patën qejf, sepse kjo do të ishte absurd, por se lufta çlirimtare u imponua ashtu siç u imponuan ato dhe do të imponohen çdokund në botë. Lufta çlirimtare – pas përpjekjeve paqësore – ishte mjeti i fundit i mbetur për çlirim, ashtu siç ndodh çdokund në botë. E për Heronjët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Haradinaj me shokë, s’mjaftojnë as gradat më të larta ushtarake të gjeneralit dhe marshallit. Këta Heronjët shkojnë shumë më larg se gradat ushtarake. Nuk ka gradë ushtarake që mbulon luftën për çlirimin e atdheut. Kjo sepse përballja me Serbinë që kishte epërsi të stër-theksuar ushtarake karshi Kosovës, për shumë kë shihej si pamundshme nëse jo edhe e pabesueshme.

Po të kishin qenë shqiptarët ata ekspansionistët e Ballkanit, e që s’ishin kurrë, e ndoshta po të ishin sot do të ishin bashkë në një shtet shumë më të madh, atëherë pse NATO do të duhej ta bombardonte Serbinë kur do të mund të sulmonte shqiptarët? A thua NATO gabimisht bombardoi Serbinë?! A thua, a thua… ?!

Apo mos ishte UÇK ajo që demaskoi terrorin serb që ushtronte mbi popullsinë shqiptare për së paku 150 vite? Apo mos ishte UÇK ajo e cila pikërisht pse bënte luftë të pastërt çlirimtare u përkrahë fuqishëm nga NATO, nga aleanca më e fortë ushtarake në glob dhe nga diplomacia botërore? Apo mos ishte UÇK ajo e cila me luftën e pastërt çlirimtare po vepronte konform politikave perëndimore për të ulur në minimum ndikimin dhe për të prishur planet ruso-serbe për kontrollin e Ballkanit? Apo mos ishte UÇK ajo e cila po vepronte konform rendit botëror ku demokratizimi i popujve përbënte bazën projektuese perëndimore? Apo mos ishte UÇK ajo e cila me luftën çlirimtare mori besimin e botës së zhvilluar dhe demokratike, e cila në vitin 2008 njohu pavarësinë e Kosovës? Apo mos është UÇK ajo e cila futi Kosovën në binarët e integrimit evropian edhe pse me shumë defiçenca dhe çoroditje menaxhuese, këto të fundit për hir të së vërtetës shoqëruan Kosovën që nga viti 1999 deri më sot?

Është e qartë që Gjykatat speciale u formua si kundërpeshë e opinionit të GJND-së përmes së cilës u legjitimua ndërkombëtarisht pavarësia e Kosovës. Meqë opinioni i GJND-së i sillte pengesa ndërkombëtare të patejkalueshme Serbisë për të goditur projektin e Kosovës, atëherë i vetmi instrument që u kishte mbetur Serbisë e Rusisë ishte një shpikje që çonte peshë në botë e që ishte Raporti i Dick Martyt me dyshimet e rënda për UÇK-në. Ky projekt u shty përpara nga Serbia e mbështetur nga Rusia dhe se Këshilli i Evropës (i ndikuar nga vendet pro-ruse) ishte institucioni i vetëm ndërkombëtar për të goditur shqiptarët. Kjo sepse me opinionin e GJND-së (organ i OKB-së) Serbisë nuk i kishte mbetur asnjë kartë ndërkombëtare për të iniciuar ndonjë projekt kundër Kosovës në OKB dhe rrjedhimisht as në BE, sepse kjo e fundit është vazhdimisht në linjë me OKB-bë.

Duke qenë se Këshilli i Evropës, si institucion ndërkombëtar, futi në lojë detyrimisht edhe amerikanët, atëherë ata për të dëshmuar se përmes bombardimeve kundër Serbisë kishin mbështetur luftën e pastërt të UÇK-së, e përkrahën themelimin e kësaj gjykate duke emëruar zyrtarin e tyre për kryprokuror të hetimeve dhe duke përcjellur nga afër çdo zhvillim në këtë drejtim.

Meqë logjika luftërave çlirimtare ka për synim mbrojtjen dhe jo ekspansionin dhe meqë lufta çlirimtare e UÇK-së ishte e tillë pra çlirimtare dhe si e tillë u mbështet edhe nga NATO, atëherë gjykata speciale ishte instrumenti i fundit që do të mund t’i godiste shqiptarët. Megjithatë, duke qenë se si popull gjithmonë kemi qenë vetëmbrojtës, kjo gjykatë vetëm sa do të ri-konfirmojë pastërtinë e luftës së lavdishme të UÇK-së, të cilën Serbia me aleatë dhe eksponentë të ndryshëm janë duke bërë të pamundurën që ta njollosin.

E njollosja do t’u jepte argumente të mjaftueshme Serbisë dhe aleatëve të saj që të shantazhojnë SHBA-në dhe NATO-n duke i akuzuar që kishin mbështetur një UÇK që sipas tyre kishte bërë krime. Kjo sigurisht që do të mund ta sillte projektin e Kosovës buzë greminës. Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse shqiptarët njihen për shpirt vetëmbrojtës, sepse shqiptarët i dhanë botës Nënë Terezën kurse Serbia Millosheviqin.