“E pritëm të gjallë, por nuk erdhi”, flasin familjarët e dëshmorëve të Betejës së Koshares
Në përvjetorin e 26-të të betejës së lavdishme të Koshares, kujtimet e Velime Kryeziut, bashkëshortes së dëshmorit Imer Kryeziu, janë të gjalla dhe të dhimbshme njësoj si atëherë. “E pritëm të gjallë, por nuk erdhi. Veç më ka thënë nëse të dalin serbët përpara, çikat mos t’i marrin”, thotë Velime Kryeziu, bashkëshortja e dëshmorit, Imer…

Lajme
Në përvjetorin e 26-të të betejës së lavdishme të Koshares, kujtimet e Velime Kryeziut, bashkëshortes së dëshmorit Imer Kryeziu, janë të gjalla dhe të dhimbshme njësoj si atëherë.
“E pritëm të gjallë, por nuk erdhi. Veç më ka thënë nëse të dalin serbët përpara, çikat mos t’i marrin”, thotë Velime Kryeziu, bashkëshortja e dëshmorit, Imer Kryeziu, teksa kujton bisedën e fundit me të.
Ajo rrëfen momentet e fundit me të shoqin, dhe si u ndanë pa e ditur se ajo do të ishte hera e fundit që do ta shihte.
Në fund, ai kishte lënë edhe disa porosi, që sot për Velimen dhe fëmijët janë të shenjta.
“Kemi qenë me një bjeshkë dhe na ka lënë, e ka dalë. Dhe kur dëgjuam pas dy muajve gati, që është mbytur…Kam qenë te (familja ime)…E kemi pritur të gjallë, por nuk erdhi. Unë qëndrova gjashtë javë te familja ime, kur erdha në shtëpi kam pritur se po vjen, nuk erdh, me një tubë fëmijësh, 12 fëmijë, dhe i la këta fëmijë…Bisedën e fundit e kemi pas kur ia kam dhënë 100 euro (marka gjermane në atë kohë) me zor, ndërsa më ka thënë jo se të duhen ty, unë me një tubë ika e kallaballëk, dhe ti mbete pa para, veç më tha nëse të dalin (serbët) jep para, veç çikat të mos i marrin…Ka dalë në Shqipëri…Kur ka vdekur ka qenë i ri, rreth 43…Jeta vetë kurrë nuk iu ka dhimbsur, se kur e ka parë Shotë Galicën ka thënë, eh, more Zot të mos bie si ajo…Unë 43 vjet i kam pasur… Kishte pasur (porosi), djalit të vogël ia kishte pasur lënë një plumb të shpuar, dhe nja dy paqeta cigare, shkrepës e sahat…plumbin i ka thënë me ngjit në qafë, se e ka lënë djalin e vogël gjashtë muaj…mua vetëm më ka thënë këqyri fëmijët”, tha Kryeziu.
Derisa edhe familjarë tjerë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve rikujtuan me emocione momentet e fundit me më të dashurit e tyre, heronjtë që flijuan jetën për lirinë e Kosovës.
Zyla Hasani, mbesa e heroit Azem Thaçi, kujton me mall momentin kur ishte përshëndetur për herë të fundit me axhën e saj.
“Axhën në momentin e fundit kur jam përshëndetur, kam qenë shumë e vogël dhe ka qenë shumë vështirë, se në atë kohë nuk e kam kuptuar që nuk kthehet më, ani pse më ka premtuar se do të kthehet. Ka qenë shumë e vështirë, por jam krenare me veprën e tij që ka luftuar për liri…Por ishte dashur (shteti) të bëjë për ta, se po harrohet, sepse është vepër shumë e madhe atë që kanë dhënë dëshmorët e kombit”, tha ajo.
Edhe Naile Avdyli Beka, motra e Harun Bekës, mes lotëve tregon momentin kur e kuptoi lajmin e trishtuar për vdekjen e tij.
“Që 42 vjet ka jetuar në Gjermani, dhe 17 vjet nuk ka ardhur në Kosovë për shkak çështjes së Serbisë, kemi qenë të përndjekur prej tyre deri është ardhur me rënien e Koshares nuk e kemi parë… Normal, se ka ndryshuar është pjekur më shumë… Ka qenë shumë i dashur për familje e të gjithë e për atdhe, por kështu i erdhi puna… E vështirë ka qenë shumë për familjarë, përmes televizionit e kemi kuptuar (lajmin për vdekjen)”, rrëfen mes lotëve ajo.
Edhe Zenel Krasniqi, një ndër shokët më të afërt të Salih Çekut, kujton ditën e fundit kur e përcolli Salihun nga Shtutgarti për në Shqipëri, drejt luftës.
“Me Salihun në Shtutgart ditën e fundit që e kam përcjellë për Shqipëri në luftën e Kosovës, por Salihut lavdi i qoftë për gjithë kontributin kombëtar që ka dhënë… Salihu ka qenë i mbyllur me të gjithë, por dy fjalë i ka pasur, ja liri, ja vdekje. Kur është nisur në atë rrugë e ka ditur që do të vritet, për atë ka qenë interesant se kjo Kosovë të jetë e lirë…Si Salih Çeku e gjithë dëshmorët e heronjtë që janë rënë, shteti i Kosovës është dashtë së pari ata t’i kenë pikën e parë”, tha ai.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.