E mitura dyshohet se u dhunua vazhdimisht brenda një viti nga një 58 vjeçar- Prokuroria jep detaje për rastin në Prishtinë
Rastet e dhunës fizike dhe seksuale vazhdojnë të jenë prezente në Kosovë, madje janë bërë shqetësim serioz për sigurinë në vend – ku edhe të miturit bëhen viktima të personave të dhunshëm. Një rast i ngjashëm është zbuluar edhe ditëve të fundit në Prishtinë, ku një e mitur (14 vjeçare) dyshohet se është dhunuar seksualisht…

Lajme
Rastet e dhunës fizike dhe seksuale vazhdojnë të jenë prezente në Kosovë, madje janë bërë shqetësim serioz për sigurinë në vend – ku edhe të miturit bëhen viktima të personave të dhunshëm.
Një rast i ngjashëm është zbuluar edhe ditëve të fundit në Prishtinë, ku një e mitur (14 vjeçare) dyshohet se është dhunuar seksualisht për një vit radhazi nga një person i dyshimtë me inicialet J.G.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku u tha se hetimet për rastin tashmë kanë filluar.
“Prokuroria ka nisur hetimet për shkak të dyshimit të bazuar kundër të pandehurit J.G i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht të miturën disa herë për periudhën kohore rreth një viti” – tha për lajmi.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“Prokurori kujdestar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ”Dhunimi” bazuar nga neni 227 par.8 lidhur me par.7., lidhur , me par.4., nënpar.4.7., lidhur me par.1., lidhur me nenin 77 par.1 nënpar.1.1., 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kundër të pandehurit J.G., ka filluar hetimin pasi që viktima e mitur R.G., është abuzuar seksualisht nga i pandehuri J.G., i cili kishte dhunuar disa herë për periudhë kohore rreth një (1) viti”, ka thënë Shala për lajmi.net.
Tutje, Shala tha se prokurori i çështjes kundër të pandehurit ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe e mitura R.G., momentalisht është dërguar për ekzaminim gjinekologjik.
Kujtojmë se rasti ishte paraqitur edhe në raportin 24 orësh të së hënës, ku Policia e Kosovës njoftoi se një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunim” dhe nuk dha detaje tjera.
“DHUNIM- Prishtinë 05.04.2025-12:00. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Por detaje të tjera janë zbuluar në media në lidhje me këtë rast të rëndë. Sipas informacioneve të deritanishme personi i cili e ka dhunuar të miturën vazhdimisht për 1 vit në vende të ndryshme është 58 vjeçar.
Rasti i fundit që edhe u raportua në polici ndodhi më 5 prill./Lajmi.net/