“E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane” – PE kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndaj Kosovës
Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që Kosovës t’i hiqen menjëherë masat ndëshkuese që i ka vënë Bashkimi Evropian, duke i cilësuar si të pajustifikueshme. Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot draft-raportin për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së gjatë viteve 2023 dhe 2024, ku theksohet kjo kërkesë. Raporti është miratuar…

Lajme
Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që Kosovës t’i hiqen menjëherë masat ndëshkuese që i ka vënë Bashkimi Evropian, duke i cilësuar si të pajustifikueshme.
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar sot draft-raportin për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së gjatë viteve 2023 dhe 2024, ku theksohet kjo kërkesë. Raporti është miratuar me 48 vota pro, 19 ishin kundër dhe gjashtë abstenuan.
Eurodeputetët kanë nënvizuar se masat janë në kundërshtim të madh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe se po e pengojnë rifillimin e dialogut në mirëbesim.
Eurodeputetët kanë vënë në pah se Kosova ka bërë përparime të dukshme në reformat zgjedhore, në qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por kanë cekur se sfidat mbeten në reformën e gjyqësorit, lirinë e mediave, efikasitetin e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.
Për dialogun Kosovë-Serbi, në këtë raport thuhet se s’ka dhënë rezultate, teksa mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe qëllimi strategjik për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare.
“Eurodeputetët i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe heqjen e kundërshtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Të dy vendet duhet gjithashtu të shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut”, thuhet në njoftim.
Në raport është mirëpritur përparimi i bërë në gjykimin e rasteve të korrupsionit. Por i është bërë thirrje Kosovës që t’i përmirësojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar.
Në fund të njoftimit citohet deklarata e Raportuesit për Kosovën në PE, Riho Torres, ku thotë se e ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane.
“Është e qartë se procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një moment të ri – ne kemi nevojë për një kapitull të ri në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit… E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave sepse çdo anëtarësim i ardhshëm duhet të bazohet në merita”.