E ardhmja e Foda-s, reagon Agim Ademi: Foda ka obligime kontraktuale me ne, presim që ato obligime të përmbushen
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar në lidhje me spekulimet se trajneri Franco Foda mund të largohet nga Kosova për ta vazhduar karrierën në futbollin arab. Përmes një postimi në rrjete sociale, Ademi ka bërë të ditur se si drejtues i FFK-s, nuk ka ndonjë njoftim nga përfaqësuesit e Foda-s…

Sport
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar në lidhje me spekulimet se trajneri Franco Foda mund të largohet nga Kosova për ta vazhduar karrierën në futbollin arab.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Ademi ka bërë të ditur se si drejtues i FFK-s, nuk ka ndonjë njoftim nga përfaqësuesit e Foda-s për këto zhvillime.
“Pas raportimeve se përzgjedhësi Franco Foda është pranë largimit nga posti i tij në Kombëtaren tonë, dëshiroj të informoj opinionin publik se as unë, si President, dhe as FFK-ja si institucion, nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër”, ka shkruar Ademi.
Tutje, Ademi ka thënë se Foda “ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen.
“Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, ka përfunduar Ademi.
Për shërbimet e Fodas mediat arabe kanë raportuar se ka shprehur interesim skuadra Arabe AL-Wahda.