Dyshohet se u ngulfat me një copë mishi, humb jetën një fëmijë 3-vjeçar në Shtime
Një fëmijë trevjeçar ka humbur jetën në Shtime, në një ngjarje tragjike që, sipas raportimeve në media, dyshohet të ketë ndodhur pasi ai u ngulfat me një copë mishi. Rasti është konfirmuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku bëhet e ditur se Qendra Emergjente e Ferizajt ka njoftuar për një viktimë të…
Lajme
Një fëmijë trevjeçar ka humbur jetën në Shtime, në një ngjarje tragjike që, sipas raportimeve në media, dyshohet të ketë ndodhur pasi ai u ngulfat me një copë mishi.
Rasti është konfirmuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku bëhet e ditur se Qendra Emergjente e Ferizajt ka njoftuar për një viktimë të gjinisë mashkullore, e cila ishte dërguar pa shenja jete nga Qendra Emergjente e Shtimës, transmeton lajmi.net.
“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Sipas raportimeve mediatike, bëhet fjalë për një fëmijë 3-vjeçar, i cili dyshohet se u ngulfat gjatë ngrënies. Familjarët kanë ndërhyrë menjëherë për t’i ofruar ndihmën e parë dhe e kanë transportuar me urgjencë në Qendrën Emergjente në Shtime.
Mjekët kanë arritur të largojnë copën e mishit nga rrugët e frymëmarrjes, por fëmija kishte mbërritur në gjendje kritike, pa puls dhe pa shenja jete.
Më pas ai është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Ferizajt, ku ekipet mjekësore kanë vazhduar përpjekjet për reanimim, por nuk kanë arritur t’ia shpëtojnë jetën. Vdekja e tij është konstatuar në orën 19:40.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit.
Policia e Kosovës e ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar./lajmi.net/