Dyshohet se një kosovar ka vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj në Gjermani

Në qytetin Iserlohn të Gjermanisë ka ndodhur një ngjarje e rëndë.

Bota

18/08/2019 17:00

Pasditen e së shtunës në qytetin Iserlohn të Gjermanisë, ka ndodhur një ngjarje tronditëse.

Siç shkruajnë mediet gjermane, dyshohet se një 43-vjeçar nga Kosova ka vrarë ish-gruan e tij 32-vjeçare dhe partnerin e saj 23-vjeçarin me origjinë nga Afganistani, transmeton lajmi.net.

Siç raporton “Express.de”, 32-vjeçarja me vete kishte edhe vajzën e saj dymuajshe e cila supozohet se ka lindur nga lidhja e kosovares me afganin.

Sipas këtij mediumi, 43-vjeçari nga Kosova që të dy i kishte vrarë me thikë të kuzhinës.

Ngjarja ka ndodhur në një stacion të trenit në këtë qytet dhe se policia gjermane ka arritur që menjëherë ta arrestojë 43-vjeçarin.

Po ashtu, ky medium raporton se dyshja kosovare kishte probleme dhe se ish-gruaja e 43-vjeçarit ishte ndarë nga ai pasi që dorasi tërë kohën ushtronte dhunë ndaj saj dhe kishte kërkuar ndihmë nga autoritet gjermane dhe ishte strehuar në një qendër refugjatësh në Bergisch Gladbach, transmeton  lajmi.net.

Sipas të dhënave të “Express.de”, 32-vjeçarja nga Kosova dhe 23-vjeçari nga Afganistani, thuhet se kanë jetuar në këtë qendër dhe në këtë mënyrë supozohet se babai i vajzës dymuajshe është afani.

Raportohet se në momentin e krimit çifti vajzën e tyre e kishte  lënë duke fjetur në veturën e tyre dhe prandaj ajo ka arritur që  t’i shpëtoj kësaj masakre.

Sipas këtij mediumi, ende nuk dihet se si dorasi ka arritur që ta bindë ish-gruan e tij që të takoheshin.

Po ashtu sipas “Express.de”, 43-vjeçari ishte i njohur për policinë gjermane për shkak të dhunës që ushtronte në familje, pra ndaj gruas së tij. /Lajmi.net/