Në Gjykata Themelore në Prishtinë do të mbahet nesër seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti.
Seanca pritet të nisë në orën 09:30, ku gjykata do të shqyrtojë kërkesën e Prokuroria Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, transmeton lajmi.net.
Prokuroria kishte njoftuar më herët se, me urdhër të prokurorit kujdestar, Kelmendi është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer disa vepra penale.
Sipas autoriteteve, ai dyshohet për veprat penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal të Kosovës, si dhe për veprat “kanosje” (neni 181) dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” (neni 321).
Prokuroria ka bërë të ditur se për shkak të këtyre dyshimeve ka paraqitur kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këngëtarit, ndërsa vendimi pritet të merret pas përfundimit të seancës së së enjtes./lajmi.net/