​Dyshohet për korrupsion, hetohen avokatja dhe përmbaruesi privat

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se pas një hetimi të gjatë dhe të suksesshëm ka dalë në përfundimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprave penale nga dy persona të përfshirë në një rast me dëme materiale prej 25 mijë eurosh. Në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar,…

Lajme

30/05/2025 12:50

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se pas një hetimi të gjatë dhe të suksesshëm ka dalë në përfundimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprave penale nga dy persona të përfshirë në një rast me dëme materiale prej 25 mijë eurosh.

Në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, Sh.Sh dyshohet për veprën penale ushtrimi i ndikimit, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, dyshohet për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror për vete dhe të tjerët.

Sipas prokurorisë, veprimet e të pandehurve kanë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 25 mijë euro.

Prokuroria thekson angazhimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare në Kosovë.