Dyshime për parregullsi në tenderin e Policisë për vetura
KDI ka thënë se në tenderin e PK’së për blerjen e veturave për patrullim ka pasur parregullsi të shumta. Ata kanë bërë thirrje që të mos nënshkruhet kontrata dhe të mos blihen vetura të shtrenjta.
Lajme
Instituti Demokratik i Kosovës dhe Transparency International Kosova sot kanë publikuar një raport për prokurimin publik në Policinë e Kosovë, lidhur me tenderin për blerjen e automjeteve për patrulla për Policinë.
Isuf Zejna nga KDI tha se tenderi i Policisë që nga 2011 është përcjellë me parregullsi dhe me ankesa në OSHP për shkak se janë aplikuar kritere diskriminuese.
“Që nga atëherë policia e Kosovës nuk ka arritur të nënshkruajë kontratë për vetura patrulluese për shkak që për tri vitet e ardhshme 2011, 2012, 2013 janë parashtruar gjithsej 5 ankesa nga operatorët ekonomikë”.
Zejna ka shtuar se ky tender i cili konsiderohet të arrijë vlerën prej 4 milionë euro, e cila parashihet të jetë një kontratë tre vjeçare, me “çdo kusht po përgatitet t’i ndahet përfaqësuesit të Volkswagen për Kosovë”.
“Tenderi i dytë është shpallur në vitin 2012 dhe gjithashtu është anuluar nga organi shqyrtues i prokurimit pos dy ankesave që janë parashtruar nga përfaqësuesi i Peugeot dhe përfaqësuesi i Opeli’t për Kosovë”.
“Ndërsa tenderi i tretë i shpallur në vitin 2013 ka ardhur deri tek një përfundim ku është zgjedhur kompania fituese pra përfaqësuesi i Volkswagenit në Kosovë mirëpo për shkak të ankesës që është paraqitur në organin shqyrtues të prokurimit publik kontrata nuk ka arritur të nënshkruhet deri në momentin që e kemi hulumtuar këtë tender”.
Zejna mendon se është favorizuar kjo kompani pasi që është zgjedhur edhe tipi i veturës Skoda Rapid ku vetëm kompania Volkswagen është kualifikuar si e përgjegjshme për këtë tender.
“Kriteret kanë favorizuar veturën Skoda Rapid dhe këtë e themi se vetëm përfaqësuesit e kompanisë Volkswagen janë kualifikuar si të përgjegjshme në këtë tender”.
“Çmimi i këtyre veturave i cili i është ofruar Policisë së Kosovës. Me ç’rast kompania ka ofruar këto vetura me çmimin rreth 18.300 euro përderisa në tregun me pakicë çmimi i tyre fillon nga 10.950 euro”.
Edhe një shqetësim tjetër i ngritur sot nga KDI është edhe mosfunksionimi të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
KDI i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë tender dhe të mos ngutet që ta nënshkruar kontratën dhe të tregojë kujdes për buxhetin duke mos blerë vetura të shtrenjta.