Dy vrasje të rënda në Gjilan me tri viktima- Të dyja armët ishin me leje

Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur së fundi në rajonin e Gjilanit, më saktësisht në dy fshatra të kësaj komune. Pasditen e së premtes vendi u trondit nga një vrasje e rëndë, ku burri vrau gruan e tij, vëllain e saj dhe plagosi edhe një kushëri të së njëjtës. Bëhet fjalë për të dyshuarin Valon…

Lajme

12/10/2026 10:16

Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur së fundi në rajonin e Gjilanit, më saktësisht në dy fshatra të kësaj komune.

Pasditen e së premtes vendi u trondit nga një vrasje e rëndë, ku burri vrau gruan e tij, vëllain e saj dhe plagosi edhe një kushëri të së njëjtës.

Bëhet fjalë për të dyshuarin Valon Ramushi, i cili vrau gruan e tij rreth orës 14:21.

Sipas Gjykatës në Gjilan, i pandehuri kreu vrasjen për shkak të një mosmarrëveshje për motive akoma të panjohura.

“I pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit  M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo me targa 239-HM shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ultë e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë me targa 06-767-HK vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, me nr. serik PX321722 përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri me armën e llojit Bereta del nga vetura dhe ju thotë: “ unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikën, ndërsa të dëmtuarin M. e plagosë, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes pasi shtie disa herë në drejtim të tij, me pas veturën e tij të markës Tiguan ku ishte e ndjera N. B. e dërgon në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit, para emergjencës  dhe e lë aty, ndërsa vetë shkon dhe dorëzohet në polici”,thuhet në raportin e rastit.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

E sipas burimeve nga ky rast theksohet se çifti kanë pasur probleme të mëhershme dhe se gruaja i kishte kërkuar veçse divorcin këtij të fundit e në shenjë mospajtimi ky edhe shtiu me armë në drejtim të saj.

E një rast tjetër shumë i rëndë ndodhi mbrëmjen që lamë pas në Pogragjë të Gjilanit, ku babai dyshohet se privoi nga jeta djalin e tij.

Bëhet fjalë për të dyshuarin Remzi Arifi dhe viktimën Bajram Arifi.

I dyshuari në këtë rast vazhdon të jetë në arrati që nga momenti i ngjarjes së rëndë.

Togeri policor, Ismet Hashani në një deklarim për lajmi.net deklaroi se shumë gjëra nga ky rast mbeten ende të padefinuara për shkak se i dyshuari është ende i pa ndaluar nga Policia.

Po ashtu ai tha se përpos që dihet se i dyshuari është babai i viktimës, ende s’janë të ditura detajet e tjera.

“Policia është në kërkim të të dyshuarit dhe deri në momentin e kapjes nuk mund të thuhen gjëra të tjera”.

“Ne kemi hulumtuar, dhe nga gjetjet që kemi pa aty, nuk kemi parë asnjë rast që personi i dyshimtë, ka pasur të lajmëruar apo ndaj tij ka pasur ndonjë ankesë për dhunë në familje. Megjithatë hetimet do të tregojnë të vërtetën për këtë rast të rëndë”, tha ai.

Gjilani këto ditë është tronditur nga dy vrasje të rënda, ku janë tri viktimat. Njëri rast ishte në Livoç të Ulët dhe tjetri mbrëmë në Pogragjë.

E përbashkëta e këtyre dy rasteve është një gjë: Të dyja armët me të cilat janë kryer vrasjet ishin me lej.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga Policia e Kosovës.

Këto armë të marra me leje nga institucionet e vendit u përdorën në dy vrasje tejet të rënda.

Kësisoj shtohet pyetja se sa lehtësisht po merren lejet e armëve në vendin tonë, mbi testime shpesh herë të dyshimta./Lajmi.net/