Dy vite burgim me kusht ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupin terrorist të ISIS-it
Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me dy vite burgim me kusht të akuzuarën për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, Jetesa Lutfiji.

Lajme
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Shadije Gërguri, dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse e njëjta, brenda tre viteve, nuk kryen vepër të re penale.
Në të kundërtën, sipas Gërgurit, nëse dënimi me burg do të ekzekutohet, në kuadër të tij, të akuzuarës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arresti shtëpiak.
Sipas aktgjykimit, e akuzuara urdhërohet që të bëjë vizita te psikologu ose këshilluesit tjerë për 2 vite e gjashtë muaj nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, kurse Shërbimi Sprovues i Kosovës (ShSK) urdhërohet të bëjë mbikëqyrjen e të akuzuarës.
Sipas gjykatëses, nëse e akuzuara nuk mban kontakt me ShSK-në dhe nuk shkon të psikoloku ose këshilluesit tjerë, dënimi do të revokohet.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 8 qershor të këtij viti, e akuzuara e kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 26 maj 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Jetesa Lutfijit, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Jetesa Lutfiji akuzohet se më 12 shtator 2014, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri, përmes aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, së bashku me nënën dhe motrën e saj dhe Eranda Kosumin, kanë udhëtuar për në Stamboll.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në Stamboll ato janë takuar me babain e të akuzuarës, Nagip Lutfiji, i cili ka udhëtuar nga aeroporti i Shkupit e më pastaj me aeroplan kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë, ku përmes pjesëtarëve të ISIS-it janë kontaktuar me vëllain e të akuzuarës ,Besmir Lutfiji.
PSRK-ja pretendon se ata janë transportuar fillimisht në qytetin Gjerablus, pastaj në qytetin Sedel Faruk, ku e akuzuara Jetesa Lutfiji edhe është martuar me personin e quajtur Saimir Kaca nga Tirana, i cili ishte polic ushtarak i ISIS-it.
Sipas prokurorisë, e akuzuara është angazhuar në pikëpamje logjistike me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake si dhe është financuar nga ISIS-i, me shumën e të hollave nga 50-100 dollarë në muaj.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Lutfiji, në këto zona të konfliktit, ka kontaktuar edhe me Lavdrim Muhaxherin, Qamile Tahirin, Remzije Qazimin, Ajnishahe Abazi etj, e po ashtu ka poseduar edhe një pushkë automatike të saj.
Prokuroria pretendon se e akuzuara Lutfiji në këto zona të konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018, ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike Siriane e që edhe më 19 prill 2020 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.