Dy vendime të reja për zhvillim ekonomik e lehtësim të investimeve

Qeveria e Kosovës ka marrë dy vendime në kuadër të planit të saj për zhvillimin ekonomik dhe lehtësimin e mundësive për të bërë biznes në Republikën e Kosovës.

Lajme

29/04/2014 16:35

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka bërë të ditur se vendimi i parë është “të lirohen apo të kenë pushime nga taksat të gjitha investimet e reja, për tre deri në shtatë vjet”.

Beqaj në një konferencë për media, tregoi se ky vendim nënkupton që çdo investim i cili krijon 30 vende të reja pune dhe shkon deri në dy milionë investime, do të lirohet për tre vjet nga tatimi nga korporata. Njëkohësisht edhe nga tatimi në vlerën e shtuar për investimet e bëra në atë kohë.

“Niveli i dytë që lirohen janë personat me investime prej dy deri në pesë milionë euro, dhe do të kenë katër vjet lirim nga tatimi në korporata, gjithashtu tatimi në vlerën e shtuar për investime do të jetë zero”.

“Pastaj, deri në dhjetë milion euro investime dhe krijim të 100 vendeve të reja të punës, do të lirohen për pesë vjet, ndërsa deri në dhjetë milion euro investime dhe 150 vende të punës do të lirohen për shtatë vjet”.

Sa i përket vendimit të dytë, që do të marrë Qeveria e Kosovës, Ministri Beqaj ka thënë se ka të bëj me udhëzimin administrativ i cili do të hartohet për lirimin e lëndëve të para dhe pajisjeve nga taksa doganore.

“Ne kemi një numër të madh të produkteve të cilat importohen si lëndë e parë dhe si pajisje. Por, gjatë bisedimeve që kemi bërë me bizneset këtyre ditëve, kemi ardhur në përfundim që edhe më tutje ka nevojë që të krijojmë hapësira të reja, sepse ka ndërmarrje që kanë ide të reja për të hyrë në proceset e prodhimit”.

“Njëkohësisht një vendim tjetër që është marrë sot, është qasja në raporte të reja me Qeverinë Japoneze sa i përket kredive të buta”, ka shtuar ministri i financave Besim Beqaj.