Dy ura të reja mbi Ibër, deklarohen nga Bashkimi Evropian: Kërkon koordinim dhe dialog të ngushtë midis të gjitha komuniteteve
Tanimë fokusi nuk është tek hapja e urës së Ibrit- siç ishte vitin e kaluar pasi tani nga Qeveria e Kosovës me drejtues në detyrë fokusi është tek dy ura të reja që pritet të lidhin veriun me jugun e Mitrovicës. Pasi ideja për ta bërë të mundshëm qarkullimin e automjeteve mbi urën e Ibrit…

Lajme
Tanimë fokusi nuk është tek hapja e urës së Ibrit- siç ishte vitin e kaluar pasi tani nga Qeveria e Kosovës me drejtues në detyrë fokusi është tek dy ura të reja që pritet të lidhin veriun me jugun e Mitrovicës.
Pasi ideja për ta bërë të mundshëm qarkullimin e automjeteve mbi urën e Ibrit mbeti asgjëkund- nga Qeveria Kurti vendosën që aty të bëjnë nisjen e projektit për dy ura të reja.
Këto ura parashihet të jenë funksionale njëra për qarkullimin e këmbësorëve, e tjetra për vetura.
Por e gjithë kjo ide, aq sa gjet përkrahje ngjalli edhe reagime të shumta.
Në lidhje me këtë situatë, nga Bashkimi Evropian thanë për lajmi.net se aktualisht po kryhet një vlerësim strukturor i urës në Mitrovicë dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pas parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të kësaj ure.
“BE-ja aktualisht po kryen një vlerësim strukturor të urës së Mitrovicës dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke pasur parasysh kohën e kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të kësaj ure”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra për Informim e BE-së.
Po ashtu u tha se autoritetet e Kosovës janë informuar siç duhet paraprakisht për këtë.
“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të informohet nga të dhëna teknike të azhurnuara, të sakta dhe objektive”,theksohet tutje.
Përpos kësaj, nga Bashkimi Evropian u tha se BE-ja koordinohet ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë, në lidhje me të ardhmen e urës dhe se ndërtimi i dy urave të reja tek Ibri është një zhvillim që mbart rëndësi si praktike ashtu edhe politike.
“Çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës Veriore dhe Jugore kërkon koordinim dhe dialog të ngushtë midis të gjitha komuniteteve të përfshira”, u tha nga BE-ja.
Sipas të njëjtëve, është thelbësore që projekte të tilla të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale.
Sipas BE-së, të gjitha marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë edhe ato që lidhen me urën e Mitrovicës- duhet të zbatohen plotësisht.
“Të gjitha marrëveshjet e Dialogut Beograd-Prishtinë, përfshirë ato që kanë të bëjnë me urën e Mitrovicës, duhet të zbatohen plotësisht”.
Gurthemeli i dy urave të reja mbi Ibër është vendosur me datë 1 korrik të këtij viti. Ky gurëthemel është vendosur në kudër të një memorandumi të bashkëpunimit në mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës me Komunën e Mitrovicës së jugut dhe asaj të veriut.
E pas kësaj, para zyrave të Listës Serbe në Mitrovicë filloi nënshkrimi i një peticioni kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër.
Me rastin e vendosjes së gurthemelit, kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se ndërtimi i urave synon të forcojë lidhjen dhe bashkëpunimin në mes veriut dhe jugut.
“Unë jam kryeministër i Kosovës. Këta janë ministra të Kosovës. Janë kryetarë të komunave të Kosovës. Gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve”- ka thënë Kurti.
Tek Ura e cila do të shërbejë për automjete e këmbësorë punimet janë duke vazhduar. Në këtë zonë është vendosur edhe pllaka e punimeve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kontrata e dhën ënga Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës ndërtimi i dy urave të reja mbi Ibër pritet të kushtojë 2 milionë e 999 e 628 mijë euro.
Kontratën e ka fituar kompania me emrin “Eurokos Holding” më 24.06.2025, ndërsa njoftimi është publikuar me 30.06.2025, kurse vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 3 milionë euro.
Pavarësisht se kishte këmbëngulur në hapjen e urës së Ibrit e deklarohej se ajo do të bëhej, së fundi i ktheu “përmbys” këto fjalë.
Madje tha nëse ka thënë se do të hapin urën e Ibrit- ka gabuar.
“Unë kam thënë se duhet të hapet e do të hapet, nuk e di a e kam thënë ndonjëherë do ta hapim. Nuk e di a e kam thënë veten e parë njëjës do ta hapim, nëse e kam thënë kam gabuar sepse nuk kam thënë do ta hapim me karabinierët italianë. Ne nuk duam fërkime me karabinierët italianë dhe me shumë durim bisedojmë që të hapet ajo urë, unë besoj që do të hapet ajo urë sepse duhet të hapet”, pati deklaruar ai.
Ura e Ibrit vazhdon të jetë pikë e rëndësishme e zhvillimit të sigurisë në vend- sidomos sa i përket pjesës veriore.
Kësisoj shpesh herë nga BE-ja është bërë thirrje që të mos veprohet njëanshëm e të merren vendime të cilat mund të eskalojnë situatën./Lajmi.net/