Dy të vdekur në Lipjan nga aksidentet në komunikacion

Dy persona nga Lipjani kanë ndërruar jetë, pas plagëve që kanë marrë në dy aksidente të ndara në komunikacion.

Lajme

16/08/2014 17:23

Në fshatin Hallaq i Madh, të premten, një person derisa drejtonte veturën e tij nga pakujdesia ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe si pasojë i njëjti ka pësuar lëndime të rënda trupore. 

“Viktima derisa ishte në tretman mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë. Në konsultim me prokurorin trupi i pajetë u është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, njofton Policia e Kosovës. 

Po në QKUK, të premten ka ndërruar jetë një tjetër person nga Lipjani, që po trajtohej aty nga plagë që kishte marrë një ditë më parë. 

“Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari për shkaktimin e këtij aksidenti është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.