Dua 300 euro rrogë ose largohem nga Kosova

Boksieri Liridon Zeqiri ka paralajmëruar se nëse nuk i ofrohet një pagë mujore prej 300 euro, atëherë në verë do të largohet nga Kosova.

Sport

15/04/2015 14:49

Boksieri Liridon Zeqiri ka apeluar për herë të fundit që të ndihmohet, përndryshe do ta braktisë boksin e Kosovës.

Ai për “Epokën e re” ka bërë me dije se që 11 vjet që merret me këtë sport, por rrallëherë i janë shpaguar mundi dhe djersa që ka derdhur për t’i arritur sukseset që në boksin e pasluftës nuk i ka arritur askush.

“Boksin nuk do ta braktis asnjëherë, por boksin e Kosovës po. Nëse nuk më plotësohen kushtet e kërkuara, atëherë në verë do të largohem nga Kosova përfundimisht. Do të shkoj në Klubin e Hamburgut, nga i cili kam pasur ofertë edhe në të kaluarën dhe do të kërkoj ta kam një të ardhme më të mirë. Që 11 vjet që merrem me këtë sport jemi shpërblyer vetëm në ndonjë turnir”, ka thënë Zeqiri, i cili ka treguar se kërkesa e tij nuk përmban ndonjë shumë marramendëse, por është vetëm një pagë mujore prej 300-eurosh.

“Edhe më herët kam apeluar, e sërish po e bëj të njëjtën gjë, që të më plotësohen kushtet minimale. Nuk po kërkoj diçka të jashtëzakonshme, por vetëm një pagë mujore prej 300 eurosh. Nëse më realizohet kjo kërkesë, do të punoj edhe më shumë dhe sukseset do të janë edhe 10 herë më të mëdha se deri tash”, ka deklaruar Zeqiri, i cli tregon se disa boksierë po përkrahen.