Drojë nga destabiliteti politik në Kosovë, një skenar i mundshëm qeveria teknike

Një raport i ndërkombëtarëve në Kosovë, që po qarkullon në mesin e disa diplomatëve perëndimorë, e paraqet situatën në Kosovë të rrezikshme, duke paralajmëruar edhe mundësinë e hyrjes në një destablitet politik.

Lajme

25/06/2014 21:33

Nisur nga rezultati i zgjedhjeve dhe përpjekjet për rivalitet politik, Memo që e ka siguruar gazeta Tema rekomandon një qeveri teknike gjithëpërfshirëse, me agjendë të qartë evropiane, e cila duhet të përfundojë reformën elektorale, të nisë dhe përfundojë amendamentet në Kushtetutë, sidomos në këto dy pika kyçe:

Zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhja e qeverisë. Po ashtu, qeveria duhet të aprovojë tre ligje në lidhje me Gjykaten Speciale për krimet e luftës. Memo konsideron se vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani duhet të jenë prioritet. Fokus të veçantë do të ketë krijimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës

Ja edhe Memoja e plotë e siguruar nga gazeta Tema.

Subjekti: Nevoja për stabilitet politik në kosovë

1. Përmbledhje: Kosova rrezikon të hyjë në një destabilitet politik në muajt e ardhshëm për shkak të diferencave të mëdha që kanë partitë politike me njëra-tjetrën. Ky ngërç politik është në dëm të vendit pasi Kosovës i nevojitet një qeveri stabël në mënyrë që të përballojë me sukses sfidat që do i paraqiten në një të ardhme të afërt.

Burimi i destabilitetit politik:

2. LDK, AAK dhe Nisma arritën një marrëveshje paszgjedhore për të hyrë në koalicion me njëra-tjetrën dhe të formojnë një qeveri që do të udhëhiqet nga lideri i AAK, Ramush Haradinaj. Gjithsesi, të tri partitë bashkë nuk i kanë numrat për ta formuar qeverinë dhe do ti duhet të mbështeten në votat e LVV ose minoriteteve për të siguruar shumicen në Parlament. Edhe pse me përkrahjen e LVV ata mund ti sigurojnë votat që ju duhen për të formuar qeverinë, ajo do të jetë një qeveri mjaft e brishtë, e cila pritet të testohet shumë shpejt, sidomos kur Kosovës do t’i duhet të vazhdojë negociatat me Serbinë.

3. Është e veshtirë të kuptosh se nga rrjedh e gjithë kjo fryme anti-PDK, veçanërisht kur të tri këto parti kanë qenë partnere me PDK në një koalicion qeverisës dhe vazhdojnë të jenë partnere në disa njësi në rang lokal. Sipas…. , gjithë ky entuziazëm për koalicionin buron nga fakti se liderët e këtyre partive duan ta anashkalojnë vëmendjen nga dështimet personale dhe performanca e dobët e partive të tyre në këto zgjedhje.

4. Edhe pse PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve, ato kanë përballë një sërë veshtirësish për të siguruar numrin e nevojshëm të votave për të formuar qeverinë. Sipar rezultateve paraprake, PDK ka vetëm 37 nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës. Në qoftë se PDK nuk arrin të bindë ndonjë parti tjetër për t’iu bashkuar asaj në një koalicion paszgjedhor, atëhere ajo do ta ketë të pamundur të formojë qeverinë.

Qarkullojnë zëra se disa deputetë opozitarë, të pakënaqur nga liderët e tyre dhe të frikësuar nga mundësia e zgjedhjevve të parakohshme, mund të kalojnë nga PDK në këmbim të posteve shtetërore. Gjithsesi as ky opsion nuk do të mundësonte krijimin e një qeverie të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Si të sigurohet stabiliteti politik?

5. Kosovës do ti nevojitet një qeveri politikisht e qëndrueshme në periudhën në vazhdim. Ndryshimet e parashikuara kushtetuese, dialogu me Serbinë dhe reformat e lidhura me marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit janë vetëm disa nga çështjet e rëndësishme që kanë nevojë për mbështetjen e shumicës dërmuese në Parlamentin kosovar.

Një nga skenarët mjaft i preferuar nga diplomatët e huaj është ai i formimit të një qeverie gjithpërfshirëse, e formuar nga të gjitha grupet parlamentare në Kosovë. Sipas këtij skenari, partitë politike do të caktojnë në poste shtetërore ekspertë të fushave dhe jo doemos personazhet me peshë politike. Disa nga reformat dhe vendimet kyçe që pritet të ndërmarrë kjo qeveri janë :

6. Të përfundojë reformën elektorale

7. Të nisë dhe përfundojë amendamentet në Kushtetutë, sidomos në këto dy pika kyçe: Zgjedhja e Presidentit dhe zgjedhja e qeverisë.

8. Aprovimi i tri ligjeve në lidhje me Gjykatën Speciale për krimet e luftës

9. Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani. Fokus të veçantë do të ketë krijimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

10. Kjo qeveri (teknike) e supozuar pritet të drejtojë vendin për dy vjetët e ardhshëm, deri në mars 2016. Të gjitha partitë politike të përfaqësuara do të duhen të nënshkruajnë një marrëveshjë me të cilën do të binin dakord që parlamenti të shpërndahet vetvetiu në mars 2016. Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 2016 do të formojë më pas qeverinë e gjithashtu do të zgjedhë edhe Presidentin.

Si do të jetë konstrukti i qeverisë së re ?

7. Qeveria teknike do të përfshijë përfaqësues nga i gjithë spektri politik i parlamentit të Kosovës. Kjo kërkon që të gjithë të zgjedhurit të jenë të përgjegjshëm në vendimmarrjen e tyre pasi i duhet të vendosin për çështje me rëndësi kombëtare.

8. Partitë politike do i ndajnë postet në proporcion me vendet e tyre ne parlament.

9. Partitë politike do të inkurajohen që të vendosin ekspertët e tyre në ministritë që do iu akordohen.

10. Kryeministri i qeverisë teknike duhet të zgjidhet me konsensusin e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës.

Koment:

1. Në qershor 2014 Kosova zhvilloi një nga proceset më të mira zgjedhore dhe komuniteti ndërkombëtar e shikon këtë si një demonstrim të pjekurisë politike të arritur atje. Komuniteti ndërkombëtar ngurron të ndërhyjë në politikat e brendshme të vendit për sa kohë ato nuk paraqesin një rrezikshmëri të lartë ku ndërhyrja do ishte e domosdoshme. Ndërkombëtarët gjithashtu do të dëshironin që partitë politike të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët pa qenë nevoja të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Në qoftë se partitë nuk arrijnë një marrëveshje brenda afateve të caktuara, vendit do ti duhej të shkojë në zgjedhje të parakohshme, 40 ditë pas dështimit të përpjekjes së dytë për të formuar qeverinë. Kjo do të thotë që Prishtina mund të mos ketë një qeveri të re deri në vitin 2015.

2. Në qoftë se vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, shumë nga votuesit do ta ndjejnë veten të privuar nga një fitore legjitime duke rrezikuar që këto hatërmbetje të shkaktojnë parregullsi në procesin elektoral. Duke marrë parasysh klimën e ashpër dhe mungesën e besimit midis partive politike, probabiliteti që dhuna të shpërthejë është i lartë. Gjithashtu parashikohet që partitë humbëse nuk do ti njohin rezultatet e zgjedhjeve

3. Për më tepër, nuk ekziston asnjë siguri që zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë një rezultat që do të ketë mundësi të mbledhë votat për të formuar një qeveri të qëndrueshme. Kjo do ta fuste Kosovën në një krizë të thellë politikë që do të shkonte në dëm të interesave kombëtare.

4. Ne rekomandojmë që këmbëngulja e komunitetit ndërkombëtar për të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës të vazhdojë. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të ndalojë institucionet ndërkombëtare të nxisin partitë politike të kenë nja qasje konstruktive që i tejkalon interesat partiake e personale gjatë negociatave për krijimin e qeverisë së ardhshme.