Drita tani do të synojë mrekullinë ndaj gjigantit holandez AZ Alkmaar
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, përpara rreth 8 mijë shikuesve, u luajt të enjten një ndeshje historike e UEFA Conference League, ku për herë të parë në garat evropiane u përballën dy skuadra shqiptare. Në një atmosferë të zjarrtë dhe festive, Drita arriti të dalë fituese ndaj kampiones së Maqedonisë së Veriut, Shkëndijës së Tetovës, duke…
Sport
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, përpara rreth 8 mijë shikuesve, u luajt të enjten një ndeshje historike e UEFA Conference League, ku për herë të parë në garat evropiane u përballën dy skuadra shqiptare.
Në një atmosferë të zjarrtë dhe festive, Drita arriti të dalë fituese ndaj kampiones së Maqedonisë së Veriut, Shkëndijës së Tetovës, duke triumfuar 1:0.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 20-të nga Arb Manaj, i cili reagoi shpejt pas një topi të larguar dobët nga mbrojtja tetovare dhe e dërgoi saktë në rrjetë. Pas këtij epilogu të hershëm, ndeshja mori ritëm të lartë, me duele të forta dhe raste nga të dyja anët.
Shkëndija iu afrua shumë barazimit në pjesën e dytë. Fillimisht Liridon Latifi tronditi traversën nga një gjuajtje e lirë, ndërsa më pas Besart Ibraimi rrezikoi me një goditje të fuqishme, të cilën e neutralizoi portieri Faton Maloku. Megjithatë, Drita arriti ta menaxhonte me zgjuarsi pjesën e mbetur të lojës, edhe pse trajneri Zekirija Ramadani u detyrua të bëjë dy zëvendësime të detyruara për shkak lëndimesh, duke larguar Rron Brojën dhe golashënuesin Manaj.
Ndërkohë në tribuna, “Intelektualët” dhe “Ballistët” krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme, me koreografi dhe këngë që e shndërruan mbrëmjen në një festë të vërtetë shqiptare.
Me këtë fitore të rëndësishme, Drita shkon në tetë pikë dhe afrohet dukshëm me fazën e eliminimit direkt. Ndeshjen e ardhshme, skuadra gjilanase do ta zhvillojë përsëri në shtëpi, më 11 dhjetor në orën 18:45, ndaj ekipit të njohur holandez AZ Alkmaar.