Drita ia shkakton Drenicës humbjen e parë, Ulpiana me përmbysje mposht Gjilanin

Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e fundit në kuadër të xhiros së pestë në Superligën e Kosovës.

Sport

19/09/2021 18:03

Drita ia ka shkaktuar Drenicës humbjen e parë për këtë sezon (0-2), derisa Ulpiana në fund e ka mposhtur Gjilanin (3-2), shkruan lajmi.net.

Drita ishte skuadër më e mirë në Skenderaj dhe me plotë meritë arkëtoi pikët e plota.

Ajzeraj kaloi fillimisht Dritën në epërsi (14′), ndërsa golin e dytë që ishte i fitores e realizoi Namani (55′).

Drita në fakt gjeti edhe një gol përmes Arbnor Mujës, por u anulua për pozitë jashtë loje.

Me këtë fitore, Drita renditët në pozitën e dytë me 11 pikë, derisa Drenica zbret në vendin e katërt me 10 sosh.

Ndërkohë, Ulpiana me përmbysje ka mposhtur skuadrën e Gjilanit (3 – 2).

Skuadra e Ismet Munishit kaloi fillimisht në epërsi përmes Musollit (47′).

Por, pas vetëm tre minutave u akordua penallti në të mirë të Ulpianës, të cilën e konkretizoi Santos.

Santos gjuajti pastaj edhe një tjetër penallti që në fillim dështoi, por gjyqtari e riktheu pasi portieri kishte kaluar vijën e portës pa u goditur topi.

Në gjuajtjen e dytë, Santos nuk dështoi duke i sjellë epërsinë Ulpianës.

Ishte Fiton Hajdari që ia doli të shënojë duke barazuar rezultatin (86′).

Derisa, mendohej se do mbyllej rezultati me këtë ndeshje, në skenë doli Trimor Selimi që realizoi për t’i dhënë fitoren Ulpianës (90+8).

Pas kësaj humbje, Gjilani renditet në pozitën e gjashtë me gjashtë pikë, derisa Ulpiana ngritët në pozitën e tetë me katër sosh./Lajmi.net/