Drita dhe Ballkani nuk gabojnë në shtëpi, Malisheva fiton si mysafire
Kanë përfunduar tri ndeshjet e fundit të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll, ku skuadrat pretendente nuk kanë lejuar befasi në luftën për kreun dhe objektivat evropianë. Liderja e tabelës, Drita ka arkëtuar tre pikë të rëndësishme në garën për titull, duke e mposhtur Llapin me rezultat 3-0 në Gjilan. Kampionët në…
Sport
Kanë përfunduar tri ndeshjet e fundit të xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll, ku skuadrat pretendente nuk kanë lejuar befasi në luftën për kreun dhe objektivat evropianë.
Liderja e tabelës, Drita ka arkëtuar tre pikë të rëndësishme në garën për titull, duke e mposhtur Llapin me rezultat 3-0 në Gjilan.
Kampionët në fuqi dominuan ndeshjen dhe e kërkuan më shumë fitoren gjatë gjithë takimit. Golat për Dritën u shënuan nga Besnik Krasniqi (21’), Dante (47’) dhe Veton Tusha (73’). Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 57 pikëve në krye të tabelës, duke ruajtur epërsinë në garën për titull.
Në ndeshjen tjetër, ndjekësi kryesor Ballkani ka regjistruar gjithashtu fitore bindëse ndaj Ferizajt me rezultat 3-0.
Skuadra nga Suhareka kaloi në epërsi me golin e Giovanni Ribeiro (22’), ndërsa më pas rezultatin e dyfishoi Valentin Serebe (80’). Fitoren e vulosi Diar Vokrri (88’), duke mbajtur Ballkanin në garë të ngushtë për titull me 52 pikë, pesë më pak se Drita.
Ndërkohë, Malisheva ka marrë një fitore të madhe në garën për një vend që dërgon në garat evropiane, duke mposhtur KF Dukagjini në udhëtim me rezultat 0-1.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Ibishi në minutat e fundit të ndeshjes, duke i siguruar Malishevës tre pikë shumë të vlefshme.
Me këtë sukses, Malisheva ngjitet në pozitën e katërt me 46 pikë, ndërsa Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 38 pikë.