Drejtori i Policisë në Shqipëri: Kam urdhëruar hetim disiplinor për situatën në Theth
Policia e Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë në qytetin e Shkodrës, si pasojë e uzurpimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje në Theth. Drejtori i Policisë në Shqipëri, Ilir Proda, tha se nga detyra është shkarkuar drejtori i policisë në Shkodër, Fatmir Lleshi, shefi i komisariatit, Nik Nikolla, si…
Lajme
Policia e Shqipërisë ka shkarkuar nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë në qytetin e Shkodrës, si pasojë e uzurpimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve pa leje në Theth.
Drejtori i Policisë në Shqipëri, Ilir Proda, tha se nga detyra është shkarkuar drejtori i policisë në Shkodër, Fatmir Lleshi, shefi i komisariatit, Nik Nikolla, si dhe shefi i stacionit të Thethit është pezulluar nga detyra.
Ai në një konferencë për media të enjten bëri të ditur se ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve.
“Nisur nga situata e fundit me ndërtimet e paprecedenta mu në qendrën e Thethit kam urdhëruar drejtorin e standardeve profesionale për të kryer një hetim disiplinor. Paraprakisht ju njoftoj se shefi i stacionit të policisë në Theth është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedura disiplinore për shkelje të rënda… Dua të jem shumë i qartë. Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh”, tha ai.
Sipas tij, hapësira publike u takon qytetarëve dhe se askush s’ka të drejtë të përvetësojë.
Ai nënvizoi se tani e tutje policia do të ketë kontroll të përditshëm në terren.
“Hapësira publike u takon qytetarëve dhe komunitetit dhe askush s’ka të drejtë të përvetësojë. Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit”, përfundoi ai.
Prej disa ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Thethin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka dhënë ultimatum strukturave që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara nga bizneset.
Një ditë më parë banorët e zonës së Thethit bllokuan urën hyrëse për në fshat dhe u përplasën me policinë.