Drejtoresha e Pejës për Arlindën: Ajo asnjëherë s’ka deklaruar se ndihet e rrezikuar, dëshmitarët paraprakë ishin nën presion- nuk mbrojtën punën e tyre

Komisioni Hetimor Parlamentar ka nisur intervistimin e Albulena Muja Bajraktarit, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Intervistimi po zhvillohet në kuadër të punës së Komisionit, i cili po shqyrton rrethanat dhe çështjet që lidhen me këtë rast. Deputetët kanë parashtruar pyetje të ndryshme dhe e…

Lajme

20/11/2026 10:16

Komisioni Hetimor Parlamentar ka nisur intervistimin e Albulena Muja Bajraktarit, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Intervistimi po zhvillohet në kuadër të punës së Komisionit, i cili po shqyrton rrethanat dhe çështjet që lidhen me këtë rast.

Deputetët kanë parashtruar pyetje të ndryshme dhe e njëjta është përgjigjur.

Gjatë dëshmisë së saj, Muja Bajraktari deklaroi se Qendra për Punë Sociale asnjëherë nuk e kishte vlerësuar viktimën si rast me shkallë të lartë rrezikshmërie.

“Në rastin konkret, asnjëherë Qendra për Punë Sociale nuk ka potencuar se viktima është në suaza të rrezikshmërisë së lartë, koncepti i trajtimit të fundit është orientuar komplet ose në pjesën dërrmuese kah fëmija… Viktima asnjëherë nuk është deklaruar që jam e rrezikuar, e në raste të tjera ka raste ku drejtohen tek unë, kërkojnë ndihma në kuptimin e pagesave të qerasë për viktimat në mënyrë që me largu viktimën prej vendit ku ndihet e rrezikuar” – theksoi mes tjerash ajo.

Si fillim ajo u pyet nëse e kishte njoftuar ndonjëherë Kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri në lidhje me rastin e Arlindës.

“E ka planin e punës në periudha kohore që takohen, dy ditë para rastit tragjik është takuar mekanizmit. E ka trajtu në aspektin e përgjithshëm, secili në kompetencën e vetë”,deklaroi ajo.

Deputeti Adnan Rrustemi e pyeti sërish se “A keni qenë ju aty?”

“Po.Po. Në të gjitha takime te mekanizmit, përveç kur kam qenë në pushim të lehonisë”, shtoi ajo.

Ndër të tjerash e njëjta u pyet nëse janë shkelur dispozitat e zyrtarëve publikë?

“Unë në bazë të njohurisë personale që kam mendoj se ligjërisht është me rregull si procedurë dhe nuk kuptoj çfarë relevance luan kjo se ushtruesi i detyrës e ka të njëjtin funksion si drejtori. Në ushtrim të kompetencës e ka të njëjtin funksion. Për mu e rëndësishme ka qenë që QPS-ja mos me mbet pa drejtor”, deklaroi Muja-Bajraktari.

Po ashtu e njëjta është pyetur nëse kishte parashtruar ndonjëherë kërkesë zyrtare për shtim të stafit.

“Nuk kam parashtruar kërkesë me shkrim apo diçka, sepse kjo është ditur.Kemi qenë në të njëjtin objekt jemi taku vazhdimisht. Në kuptimin se kemi nevojë për shtim të stafit.Në rastin konkret e thash që në momentin që kam pranuar informacionin kam nis me e trajtu si çështje, e kam kërku informacion shtesë nëse rasti është duke u trajtu në standardet adekuate. Nuk mendoj se ka pasur përzierje të kompetencave në këtë rast. Drejtoresha e ka rolin e vetë, e kemi stafin përbrenda dhe mbikëqyrjen e rasteve…21 zyrtarë janë, 7 në shërbimin e asistencës, 7 në shërimin profesional, 2 janë udhëheqës, pjesa tjetër janë administrativ dhe teknik.Mungon një pozitë te pjesa e shërbimit dhe një pozitë tek pjesa e financave. Takimet e mija vijojnë si në takimet me qytetarë, kur kërkojnë ndihmë. Kontaktoj me drejtoreshën, në raste të caktume janë edhe stafi prezent kur duhet shtjellim më i detajshëm në kuptimin që duhet ndihma e drejtorisë së mirëqenës sociale”,shtoi ajo.

E njëjta gjithashtu është pyetur se kur raporton direkt tek kjo e fundit.

“Direkt tek unë raporton drejtoresha e mirëqenës për punë sociale.  S mundesh me konsideru që vetëm Peja, Gjilani apo më tepër kanë problem më këtë. Duhet trajtim i nivelit qendror që më trajtu numrin e rasteve në secilën qendër dhe intervenimin me buxhet që me e mbulu.Nuk është zyrtarisht si kërkesë e shkrume, por s’është që s’kanë pas njohuri që stafi ka mbingarkesë. Vlerësim zyrtar nuk kam”.

Ndërsa për mënyrën e trajtimit ajo tha se disa gjëra janë konfidenciale shkaku i djalit të Arlindës, por se sipas saj zyrtari kujdestar në QPS atë natë ka vepruar duke vlerësuar rrezikshmërinë e fëmijës.

“Ndoshta e trajton mënyrën e konfidencialitetit, varet nga rasti, ndoshta edhe ndikimi politik- nuk e di. Zyrtari kujdestar atë natë ka vepru duke shiku e vlerësu rrezikshmërinë e fëmijës- e keni edhe deklaratën e fëmijës. Edhe pjesa tjetër, vullneti i fëmijës. Edhe nga Divizioni i Inspektimit e ka konstatu që zyrtari ka vepru ligjshëm. Ankohet që nuk e ka ftu psikologun e në bazë të arsyetimit të psikologut, nuk muj me u thirr në trajtimin e rastit sepse zyrtari është arsyetu se është kompetencë e policisë për me e thirrë psikologun”, tha ajo, transmeton lajmi.net.

E njëjta është pyetur edhe mbi raportimet nëse kjo ka qenë zyrtarja e cila i kërkoi Arlindës që të tërheq ankesën, por se e mohoi këtë.

“Është e pavërtetë. Të ndjerës i kam spjegu se unë nuk jam kompetente me trajtu kompetencat për zyrtarë sepse e ka mbikëqyrëse dhe udhëheqësi i shërbimit që ankesën kërkesën le ta drejtojë zyrtarisht, me shkrim çka edhe… nuk jom autoritet që mundem me ushtru presion ndaj dikujt që me dorëzu ankesë, e unë nuk kom qasje a po kupton. Është qendra për shërbim me qytetarë, është Komuna ku dorëzohen protokollohen e dorëzohen. E nga krejt faktet e mbledhura rezulton që Arlindën s’ka pas presion që ka mujt me e ndalë”, tha Muja-Bajraktari.

E njëjta u zgjerua në deklarim, duke thënë se “dëshmitarët paraprakë dëshmuan duke qenë nën presion”.

“Më vjen keq për mënyrën se si dëshmitarët paraprakë kanë dëshmu para jush sepse kanë qenë në presion të vazhdueshëm për rastin e s’kanë arrit me e spjegu saktë e me mbrojtë punën e vetë se s’ka pas raste kur s’kanë raportu rrezikshmëri.”./Lajmi.net/