Dr. Fauci: Koronavirusi nuk do të zhduket nga planeti Tokë

Dr. Fauci ka paralajmëruar se SHBA-të mund të ndalojnë një valë të dytë infeksionesh, të cilat sipas tij kanë të ngjarë të ndodhin në vjeshtë dhe dimër, si dhe ka thënë se koronavirusi nuk do të zhduket tërësisht nga planeti.

Bota

27/05/2020 19:17

“Është në duart tona. Ne mund të parandalojmë një valë të dytë nëse i përgjigjemi infeksioneve të pashmangshme që do të shohim në vjeshtë dhe dimër”, tha Dr. Fauci në një intervistë për Newsweek.

“Nuk ka dyshim se ky virus nuk do të zhduket nga planeti ynë deri në kohën kur do të arrijmë në vjeshtë dhe dimër, sepse ka një aktivitet të konsiderueshëm tani në Shtetet e Bashkuara, edhe pse në disa qytete dhe shtete rastet po bien”, shtoi ai.

Eksperti mjekësor i Administratës Trump tha se meqë koronavirusi i ri është i përhapur dhe shumë i transmetueshëm, “nuk mendoj se ka një shans në botë që ne do të shmangim më shumë infeksione… në mënyrë të pashmangshme do të ketë infeksione në vjeshtë dhe dimër”.

Fauci shpjegoi se virusi është shumë i vështirë për tu kontrolluar dhe eliminuar plotësisht dhe gjithmonë do të ketë disa infeksione në disa pjesë të planetit, veçanërisht pasi njerëzit do të udhëtojnë. /Lajmi.net/