Dortmundi ankohet në referim

Jurgen Klopp thotë se e tërë banka rezervë e Borussia Dortmundit e pa se Mats Hummels shënoi gol në finale të DFB-Pokal ndaj Bayern Munich, por që referi nuk e pranoi atë. Megjithatë, ai e pranon se kjo ishte një humbje e dhimbshme për verdh e zinjtë.

Sport

18/05/2014 11:06

Trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp ka mbetur i frustruar pasi ekipit të tij nuk iu pranua një gol në finale të DFB-Pokal ndaj Bayern Munich.

Golat në lojën shtesë nga Arjen Robben e Thomas Muller ia mundësuan gjigantit bavarez të fitojë 2:0, por verdh e zinjtë po ankohen në golin e shënuar nga Mats Hummels në pjesën e dytë, pasi topi e kishte kaluar vijën e portës, por gjyqtari nuk e pranoi atë.

“Ne e shënuam një gol që nuk çoi peshë. E gjithë bankina e pa atë”, deklaroi Klopp për Sky pas ndeshjes.

“Nuk dua t’ia vë fajin referit, por goli ka mundur të ndryshonte shumëçka. Humbëm 2:0 edhe pse shënuam gol. Referi Florian Meyer me tha se nevojitet teknologjia në vijën e portës, për gjëra të tilla”, shtoi Klopp.

“Humbja është e dhimbshme. Ekipet e dhanë maksimumin dhe luajtën në limitet e tyre. Ne na mungoi koncentrimi tek golat, por unë do t’ju them djelmoshave se çfarë sezoni të jashtëzakonshëm patëm”, vijoi Klopp.