​Dorëhiqet ministri Taravari

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Arben Taravari dorëzoi dorëheqjen në qeveri, ashtu siç kishte njoftuar një ditë më parë. Ai tha se këtë vendim e ka marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit. “Detyrën që e mora me…

Lajme

15/05/2025 18:37

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut Arben Taravari dorëzoi dorëheqjen në qeveri, ashtu siç kishte njoftuar një ditë më parë.

Ai tha se këtë vendim e ka marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit.

“Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit”, tha ai.

Dorëheqja e tij, pasi të pranohet nga kryeministri, pritet të kalojë në procedurë në Kuvend.

Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, tha se akoma nuk kanë asnjë informacion për dorëheqjen e Taravarit.

“Kur të marrim dorëheqjen me shkrim, atëherë sipas rregullores do të presim propozim nga kryeministri që të konstatohet dorëheqja dhe më pas kalojmë në procedurën e caktimit të ministrit të ri. Flasim për situata hipotetike”, tha ai.

Zëvendës kryeministri Izet Mexhiti tha se nuk është biseduar që VMRO-DPMNE-ja të merr Ministrinë e Shëndetësisë.

“Fillimisht duhet ta konstatojmë dorëheqjen. Ajo që është e rëndësishme, të gjitha pozicionet që i ka Aleanca për Shqiptarët, do të mbeten në kuadër të VLEN-it. Do të bëjmë analizë, do t’i japim më të mirët dhe më të përgatiturit për ato pozicione”, tha Mexhiti.

Taravari një ditë më parë njoftoi dorëheqjen e tij, por siç tha për MIA, funksionarët e tjerë do të shkarkohen. Për Mexhitin kjo tregon se Taravari nuk është në një vijë me strukturat e partisë, transmeton KosovaPress.

“Kjo tregon që pjesa dërmuese brenda Aleancës për Shqiptarët që në themelim ka qenë antipod i BDI-së, nuk pajtohen me qëndrimin e kryetarit të partisë. Ka marrë rrugë të gabuar dhe është evidente që çdo ditë ka largime, ka paraqitje të mendimeve ndryshe nga funksionarë të ndryshëm. Kjo tregon që kryetari nuk është në vijë me anëtarësinë dhe me strukturat e partisë”, shtoi Mexhiti.

Aleanca për Shqiptarët në qeveri përfaqësohet me ministrin e Shëndetësisë, zëvendëskryeministrin për qeverisje të mirë, zëvendësministrin e Bujqësisë dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes. Funksionarë të tjerë të eshalonëve më të ulëta pritet po ashtu të shkarkohen, raporton Alsat Maqedoni.