Donetsk e Luhansk shpallin “pavarësinë”, të dielën votojnë për bashkim me Rusinë

Janë shpallur rezultatet e referendumit jolegjitim në lindje të Ukrainës, në rajonin Donetsk dhe Luhansk. Në Donetsk kanë votuar 89 për qind për “vetëqeverisje”, ndërsa në Luhansk 96 për qind. Të dielën në këto dy rajone pritet të mbahet raundi i dytë i referendumit, ku qytetarët do të pyeten nëse e mbështesin bashkimin me Rusinë.

Bota

12/05/2014 12:55

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, e ka dënuar mbajtjen e referendumit në lindje të vendit, në rajonin Donetsk dhe Luhansk, të organizuar nga kryengritësit pro-rusë.  Ai ka thënë se ky referendum ishte “një farsë” pa bazë ligjore.

Separatistët në rajonin Donetsk njoftuan se për “vetëqeverisje” kanë votuar 89 përqind e votuesve, ndërsa në rajonin e Luhansk ashtu si në kohën e komunizmit, pro votuan 96 përqind.

Gazetarët BBC të cilët ishin të pranishëm në qendrat e votimit, të dielën, dëshmuan shumë parregullsi gjatë mbajtjes së këtij referendumi.

Presidenti i përkohshëm, Turchynov, tha se përmes këtij referendumi farsë,  separatistët dhe terroristët në lindje të Ukrainës po bëjnë propagandë me qëllim për të mbuluar vrasjet, kidnapime dhe krimet tjera që po kryejnë gjatë këtyre ditëve.

Edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vlerësuar referendumin si jolegjitim. Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans, tha të hënën se pret që ministrat e jashtëm të BE-së brenda pak orësh të vendosin për të zgjeruar sanksionet kundër Rusisë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Krerët e BE kanë paralajmëruar Rusinë se ajo do të përballet me sanksione të tjera nëse Moska zyrtare do të bëjë përpjekje të sabotojë zgjedhjet presidenciale në Ukrainë.

Gjatë mbajtjes së referendumit, një numër i qyteteve në dy rajonet lindore refuzuan të mbajnë zgjedhjet. Por referendumi është mbajtur pavarësisht një deklarate, që nuk dihet sa ka qenë serioze, të presidenti rus, Vladimir Putin, për të shtyrë mbajtjen e tij, në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme për dialog.

Kreu i komisionit zgjedhor të vetëshpallur në Donetsk, Roman Lyagin u tha gazetarëve se referendumi ishte i domosdoshëm, dhe se ai ka përfunduar me fitore. Sipas tij, 89,07 % votuan në favor të vetëqeverisjes, 10.19 % kundër, ndërsa 0.74 % të votave u shpallen të pavlefshme.

Gjatë ditës së djeshme ka patur edhe kërcënime. Një mësues që është për Ukrainën e bashkuar, i ka thënë BBC-së se është kërcënuar me vdekje pas refuzimit të tij për të lejuar rebelët që të përdorin shkollën si qendër votimi.

Pas referendumit të djeshëm, në të cilin votuesit u pyetën nëse ata mbështesin “vetëqeverisjen”, një referendum tjetër në këto dy rajone me popullsi të përzier, pritet të mbahet të dielën që vjen, ku qytetarët do të pyeten nëse mbështesin bashkimin Rusinë.

Nëse kihen parasysh rezultatet e raundit të parë, atëherë sipas seperatistëve, nuk është aspak gabim të parashikohet bashkimi i këtyre dy rajoneve me Rusinë.

Organizatorët e referendumit gjithashtu kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale të Ukrainës më 25 maj.

Rusia në muajin mars aneksoi nga Ukraina krahinën Autonome të Krimesë, pas një referendumi të ngjashëm të mbajtur në muajin mars.

Vlerësohet se rreth 40 mijë trupa ruse po qëndrojnë pranë kufirit me Ukrainën, që sipas Moskës zyrtare janë tërhequr, por sipas të dhënave të NATO-s, këto trupa janë në kufi dhe në gjendje gatishmërie.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar trupat e veta për stërvitje ushtarake me disa nga vendet evropiane, fqinje me Rusinë, duke i bërë të ditur Kremlinit se Amerika nuk do të lejojë cenimin e sigurisë së Konsinetit të Vjetër.