DOKUMENTE/ Ministria e Bujqësisë injoroi kërkesën e Komunës së Ferizajt për zgjatje afatesh, i la 180 bujq pa subvencione
Mbi 180 bujqë të Komunës së Ferizajit kanë mbetur pa aplikuar për subvencione në Ministrinë e Bujqësisë shkaku i çështjeve byrokratike dhe i afateve ligjore për të aplikuar. Kjo pasi afati i rregullt i aplikimit nuk ka mjaftuar për pranimin e të gjitha aplikimeve.

Lajme
Mbi 180 bujqë të Komunës së Ferizajit kanë mbetur pa aplikuar për subvencione në Ministrinë e Bujqësisë shkaku i çështjeve byrokratike dhe i afateve ligjore për të aplikuar. Kjo pasi afati i rregullt i aplikimit nuk ka mjaftuar për pranimin e të gjitha aplikimeve.
Bujqit e Ferizajt për këtë çështje problemin po e shohin tek Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Ferizajt, por nga e-mailat që ka siguruar lajmi.net, këta të fundit kanë bërë kërkesë për zgjatje të afatit për aplikim të bujqve për subvencione.
Lajmi.net gjatë ditës së djeshme, pas ankesave të bujqve të Ferizajt ka kontaktuar me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe me Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Ferizajt për të sqaruar situatën e krijuar e cila shkon në dëm të bujqve të Ferizajt, shkruan lajmi.net.
Mediumi ka siguruar dëshmi se Komuna e Ferizajt ka bërë kërkesë për shtyrje të afateve për aplikim në subvencione disa herë në Ministrinë e Bujqësisë, por këto kërkesa kanë hasur në vesh të shurdhër dhe janë injoruar tërësisht nga MBPZHR-ja e udhëhequr nga ministri Faton Peci.
Më datë 23 maj, drejtori i Bujqësisë në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami kishte dërguar një e-mail në drejtim të e-mailit të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ndonëse në e-mailin e tij sa ishte duke punuar në Presidencë, por me atë çfarë ka parë lajmi.net në faqen e MBPZHR-së, e-maili i ministrit nuk është publik.
Në këtë e-mail të Bajramit, shtrohej kërkesa për shtyrje të afatit për aplikim për subvencione për të paktën 10 ditë pune, sipas e-mailit me qëllim që të eliminohen edhe gabimet e mundshme gjatë aplikimit.
“Meqenëse këto ditë po ballafaqohemi me një vlug të madh të fermerëve të cilët aplikojnë për subvencione dhe duke marrë për bazë afatin e shkurtër për aplikim me mirësjellje kërkoj që ky afat për aplikim të shtyhet për të paktën edhe dhjetë ditë pune me qëllim që të eliminohen edhe gabimet e mundshme gjatë aplikimit!”, thuhej në e-mail.
Të njëjtën e-mail, Bajrami e kishte drejtuar edhe në arkivën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por si duket nuk kishte marrë përgjigje as në këtë rast.
Gjithashtu, të njëjtin e-mail, Bajrami e kishte dërguar edhe në adresën e Ismajl Kastratit, që është zëvendës Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e po ashtu në adresë të Isuf Cikaqit, Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregjeve, dikaster nën të cilin funksionon edhe Divizioni për Përkrahje Direkte, Politika Tregtare dhe Tregje, por sërish nuk kishte pranuar përgjigje, e-mail i njëjtë ishte dërguar edhe në adresë të Imer Limanit.
Në një tjetër e-mail që mban datën e 27 majit, Bajrami kishte përcjellur e-mailin me kërkesën e njëjtë për shtyrjen e afatit të aplikimeve për 10 ditë pune në adresë të ministrit Peci, Cikaqit e Limanit por pavarësisht kësaj, përgjigje nuk kishte marrë.
E-mailin e datës 27 maj, të dërguar në adresë të Pecit, Cikaqit e Limanit, Bajrami e kishte dërguar/përcjellur edhe në adresë të zëvendësministrit të Bujqësisë, Imri Demelezi, siç dëshmohet edhe më poshtë.
Pavarësisht se nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, Bajrami kishte dërguar edhe një kërkesë në adresë të zyrtarëve të kësaj ministrie për shtyrje të afatit të aplikimeve edhe më datë 3 qershor. Në këtë e-mail, të përfshira ishin adresat e Ministrit Faton Peci, të Isuf Cikaqit, Imer Limanit, zëvendësministrit Imri Demelezi dhe Ismajl Kastratit. Edhe në këtë e-mail shprehet shqetësimi i Komunës së Ferizajt për çështjen e zgjatjes se afateve për aplikim për subvencione. Dhe në fakt, kjo është kërkesa e vetme që përmendet nga Ministria e Bujqësisë.
Në një përgjigje për lajmi.net, nga Ministria e Bujqësisë pohon se me kërkesë të 11 Drejtorive Komunale për Bujqësi, afati i aplikimit për subvencione ishte shtyrë nga 25 maji në 1 qershor, por gjithashtu nuk përmend kërkesat e muajit maj për 10 ditë shtyrje afati nga Komuna e Ferizajt.
Të vetmen kërkesë nga Komuna e Ferizajt të cilën e përmend Ministria e Bujqësisë në përgjigjën e tyre për lajmi.net është ajo e datës 3 qershor, dy ditë pas mbylljes përfundimtare të afatit, ndërsa nuk i përmend kërkesat e muajit maj.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, më datë 26 prill të vitit 2022 e kishte hapur periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione në kuadër të Programit të Pagesave Direkte 2022. Ky afat, i cili fillimisht ishte i hapur deri më 25 maj 2022, me kërkesë të 11 Drejtorive Komunale për Bujqësi, ishte shtyrë deri më 1 qershor të këtij viti në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për të cilën gjë me kohë i kishim njoftuar të gjithë të interesuarit në këtë proces. Po ashtu, duhet theksuar se pas shtyrjes së këtij afati, deri më datë 1 qershor në MBPZhR nuk ishte pranuar asnjë kërkesë për ndonjë shtyrje tjetër të këtij afati. Rrjedhimisht pas mbylljes së afatit, pra më datë 1 qershor ishte mbyllur edhe sistemi për aplikime, procedurë kjo e cila parashihet edhe me udhëzimet në fuqi. Ndërkaq, pas mbylljes së këtij afati (1 qershor), Komuna e Ferizajt e kishte përcjellë një kërkesë për shtyrje të afatit më datën 3 qershor, pra dy ditë pas mbylljes përfundimtare të afatit, e rrjedhimisht edhe të sistemit të aplikimeve, periudhë kjo kur Drejtoria e Pagesave Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë kishte filluar t’i pranonte lëndët e fermerëve aplikues nga Drejtoritë Komunale për Bujqësi. Pra, sa i përket procedurave administrative, duhet theksuar se të gjithë fermerët aplikimin për pagesa direkte/subvencione e realizojnë secili nëpër komunat e tyre ku jetojnë dhe në këtë rast përgjegjësia e neglizhencës për mos-menaxhim të situatës me aplikim në Programin e Pagesave Direkte i bie tërësisht Komunës në fjalë. Ndërkaq, pas pranimit të këtyre lëndëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë procedurat e brendshme administrative, të cilat janë të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2022 për Pagesa Direkte, duke filluar nga kontrolla/vlerësimi administrativ i aplikacioneve e më pastaj edhe kontrollat në terren. Pas përfundimit të këtyre hapave, bëhet procedimi për ekzekutimin e pagesave për të gjithë aplikuesit, që i plotësojnë kriteret dhe dokumentacionin e përcaktuar konform Programit dhe Udhëzimit Administrativ.”, thuhet në përgjigjën e MBPZHR-së për mediumin.
Për më tutje, lajmi.net ka siguruar edhe një e-mail që mban datën e 15 qershorit, dërguar nga drejtori i Bujqësisë në komunën e Ferizajt në drejtim të disa zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë këtu edhe ministrin Peci, Ismajl Kastrati, që është zëvendës Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e po ashtu në adresë të Isuf Cikaqit, Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregjeve, dikaster nën të cilin funksionon edhe Divizioni për Përkrahje Direkte, Politika Tregtare dhe Tregje.
Në këtë e-mail thuhet se mbi 180 bujq kanë mbetur pa aplikuar për shkak të afatit të shkurtër, ndërsa gjithashtu potencohet fakti se kërkesa e Komunës së Ferizajt ka qenë për shtyrje të afatit për dhjetë ditë pune, por është shtyer vetëm 5 ditë – pra nga data 25 maj në 1 qershor.
Komuna e Ferizajt në këtë e-mail gjithashtu i referohet Ligjit të Procedurës Administrative për rivendosje të afatit, dhe ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë mirëkuptim lidhur me situatën e krijuar.
Lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar edhe me drejtorin e Bujqësisë në Komunën e Ferizajt, Burim Bajrami i cili në prononcimin e tij reflekton atë që shihet nëpër e-mailat e paraqitur më lartë.
“Ta keni parasysh, Ministria ka bërë thirrje për aplikim për subvencione dhe afati zyrtar ka qenë 30 ditë nga dita e fillimit për aplikim. Mirëpo 30 ditë kanë pasur edhe festa zyrtare dhe 5 kanë qenë festa, në total nëse e llogarit nuk i bie as 20 ditë pune për aplikim për subvencione. Duke parë fluksin e madh të qytetarëve për aplikim, kam bërë kërkesë disa herë përmes e-mail zyrtar që Ministria ta shtyejë afatin për aplikim për të paktën 10 ditë pune. Jo 10 ditë kalendarike, por 10 ditë pune. Ata si për çudi, si për habi e kanë shtyer afatin për vetëm 5 ditë. Ne prap kemi bërë kërkesë, por nuk është shtyer afati.”, thotë ai.
Bajrami shprehet se janë të gatshëm të pranojnë aplikacione edhe tani, ndërsa ka thënë se është e turpshme që ministri i Bujqësisë ka thënë se nuk kanë pranuar kërkesa për shtyrje të afatit.
“Ne jemi të gatshëm që edhe sot nëse hapet sistemi të pranojmë të gjitha aplikacionet. Është e turpshme qysh një ministër i Bujqësisë, në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë thotë që nuk kemi pranuar asnjë kërkesë.”, thotë ai.
Edhe tash, kur kanë kaluar më shumë se 1 muaj e gjysmë nga 1 qershori, bujqit e Ferizajt kanë mbetur pa subvencione dhe pa një përgjigje institucionale që iu tregon se çfarë duhet të bëjnë e çfarë hapa duhet të ndjekin. /Lajmi.net/