Dogana dhe AKI realizojnë aksion kundër barnave të kontrabanduara në Pejë dhe Gjakovë

Dogana e Kosovës, në koordinim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar sot një operacion të përbashkët për kontrollin e barnatoreve në Pejë dhe Gjakovë, ku dyshohej për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara. Në kuadër të aksionit, u angazhuan shtatë njësi operative: një njësi në Gjakovë dhe gjashtë të tjera në Pejë, raporton…

Lajme

29/01/2026 17:44

Dogana e Kosovës, në koordinim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar sot një operacion të përbashkët për kontrollin e barnatoreve në Pejë dhe Gjakovë, ku dyshohej për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.

Në kuadër të aksionit, u angazhuan shtatë njësi operative: një njësi në Gjakovë dhe gjashtë të tjera në Pejë, raporton lajmi.net

Gjatë kontrolleve u evidentuan parregullsi lidhur me posedimin e medikamenteve pa dokumentacion të rregullt dhe pa banderolla fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk u konstatuan shkelje.

Si rezultat i këtij aksioni, u sekuestruan gjithsej 988 pako medikamente, me vlerë të përafërt rreth 10,000 euro.

Dogana e Kosovës njoftoi se aksioni u zhvillua sipas procedurave standarde operative dhe përfaqëson një tjetër hap konkret në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm,” thuhet në komunikatën e Doganës./Lajmi.net/