“Do të doja ta shihja LDK-në tamam siç e ka emrin”, “Qeveria e unitetit vështirë e realizueshme” – Ideja e partisë së Abdixhikut nuk jep shpresë për zhbllokim
30 tentime janë bërë të për konstituar Kuvendin, por të gjitha kanë dështuar. Partitë politike parlamentare nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët në lidhje me situatën aktuale. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, po insiston që opozita të votoj Albulena Haxhiun për kryeparlamentare dhe po kërkon që të formohet një komision për…

Lajme
30 tentime janë bërë të për konstituar Kuvendin, por të gjitha kanë dështuar.
Partitë politike parlamentare nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët në lidhje me situatën aktuale.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, po insiston që opozita të votoj Albulena Haxhiun për kryeparlamentare dhe po kërkon që të formohet një komision për votim të fshehtë.
Dy opsionet janë refuzuar nga partitë opozitare. Haxhiu po shihet si person i papërshtatshëm e përçarës, kurse ndryshimi i mënyrës së votimit pas disa seancave po thuhet të jetë anti-kushtetutes.
Opozita i ka ofruar disa alternativa për të konstituar kuvendin. PDK e AAK i kanë kërkuar VV-së që të ndryshoj emrin e kandidatit për kryeparlamentar, në këtë mënyrë do të krijohej mundësia që të jepnin votën pro. LDK në asnjë mënyrë nuk do i jap votë pro VV-së, as për qeveri e as për kryeparlamentar.
Duke e parë ngërçin politikë, LDK ka dal me një propozim, ku kërkon nga të gjitha partitë të bëhen bashkë dhe të themelojnë një qeveri të unitetit, për një kohë të caktuar dhe me kushte.
Fillimisht, kjo ide nuk mori përkrahje. PDK e AAK po kërkon qeveri të ish-opozitë, kurse VV po thotë se me qeveri të unitetit deformohet vullneti i popullit i dal me 9 shkurt.
Por sot, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ritheksoi pozicionin e partisë së tij, duke shkruar në Facebook se ideja për qeveri të unitetit është zgjidhja për të dal nga kjo bllokadë.
Në lidhje me këtë insistim të LDK-së, lajmi.net kontaktoi me analistin e njohur, Arton Demhasaj, i cili tha se kjo ide është vështirë e realizueshme.
“Kjo është një qëndrim që tash po e mban LDK-ja, edhe z.Abdixhiku e tha më herët dhe vazhdimisht po e thotë që zgjidhja e vetme është qeveria e unitetit. Mendoj që mund të jetë një prej zgjidhjeve por nuk është zgjidhja e vetme.”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai u shpreh pesimist se të gjitha partitë mund të bëhen bashkë, duke e parë se po refuzojnë të bëjnë koalicione me njëra-tjetrën.
“E para mendoj që është problematike me u realizu kjo, për vet faktin që partitë politike kanë hy në një ngërç politikë dhe problem është me u arrit kjo qeveri, pra në rast se LDK nuk hynë në koalicion me VV-në, ose PDK me VV-në, atëherë pse munden të hyjnë të gjitha së bashku?! Realizimi i saj është shumë i vështirë në praktikë, por si alternativë, mund të jetë një alternativë, ku mund të krijohet një qeveri që mund të jetë 1-vjeçare por me kushte që të përfundoj dialogu, diçka e tillë e madhe që e pret vendin, pas asaj me shku në zgjedhje dhe me pas një garë fer. Si projekt është vështirë i realizushëm.”, u shpreh analisti.
Demhasaj tha se blloku i ish-opozitës i ka numrat për bërë bërë një qeveri.
“Shumë më alternativë është të krijohen dy blloqe, blloku opozitar dhe blloku pozitar, derisa po e shohim që VV nuk po arrin të krijoj shumicën e nevojshme parlamentare, atëherë partitë politike që ishin në opozitë munden me kriju këtë shumicë. Nëse i shohim numrat, PDK, LDK, AAK, NISMA dhe minoritet josshumicë jo-serbe munden me kriju një qeveri që mund të konsiderohet që është një qeveri stabile. Por, duket që LDK për me i ikë pikërisht kësaj qeverie e ka nxjerrë idenë për qeveri të unitetit.”, përfundoi Arton Demhasaj.
Deklaratën e Hazirit e cilësoj si shenjë të vetëdijsimit politikë deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku.
Ajo në një prononcim për lajmi.net tha se vendi ka nevoj për më shumë sesa deklarime.
“Deklarata e z. Lutfi Haziri për një Qeveri të Unitetit si zgjidhje të vetme për daljen nga bllokada politike është një shenjë se vetëdijesimi për situatën ekziston, por vendi ka nevojë për më shumë sesa deklarime. Kosova është në gjendje të rëndë, pa institucione funksionale dhe me demokraci të lënduar. Në këtë situatë, subjektet e mëdha politike kanë një obligim të shtuar – jo vetëm për të ofruar ide, por për të vepruar me përgjegjësi shtetërore dhe lidership që i jep drejtim vendit. Unë do të doja ta shihja LDK-në tamam siç e ka emrin – një lidhje që i bashkon forcat përtej dallimeve dhe që kontribuon me vepra konkrete në tejkalimin e kësaj gjendjeje të rëndë.”, tha Izmaku.
Nesër do jetë seanca e radhës, tentimi numër 31 për të konstituar Kuvendin, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje nga asnjëra parti për të ndryshuar situatën./lajmi.net/