Do të dalim në zgjedhje vetëm nëse jemi unikë

Jonuz Musliu thotë se vetëm nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës pajtohen që të hyjnë me një listë në zgjedhje parlamentare, mund të fitojnë ndonjë deputet. E nëse shkojnë veç e veç ai nuk do të hyjë në zgjedhje. Pranon se nuk ka vullnet për këtë çështje.

Lajme

05/02/2014 06:51

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu, thotë se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sa i përket pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Në një deklaratë për lajmi.net, Musliu thotë se partia e tij “Lëvizja e Progresit Demokratik”, nuk do të “prish punë” nëse të gjithë shqiptarët pranojnë që të hyjnë me një listë të përbashkët dhe të shkojnë në zgjedhje.

“Ende nuk kemi ndonjë qëndrim rreth subjektit tonë”.

Kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankovic ka thënë sot se pret që deri të premten, liderët e shqiptarëve të këtyre komunave ta marrin një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 16 mars në Serbi.

Por çka mund të fitojnë shqiptarët e këtyre tri komunave nëse i thonë “Po” pjesëmarrjes në zgjedhje?

“Derisa nuk bëhen të gjithë shqiptarët unikë që të dalin me një listë, është problem që të fitohet një deputet”.

“Në qoftë se shqiptarët bëhen unikë dhe kanë vullnet që të dalin me një listë të gjithë shqiptarët, atëherë unë nuk prishi punë, jam që të dalim në zgjedhje”.

“Por, kështu veç e veç, qëndrimi i Lëvizjes së Progresit Demokratik është jo”.

Presheva

 

Jonuz Musliu thotë se sugjerimi nga Tirana zyrtare, që fton që shqiptarët e Luginës së Preshevës të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit, mbetet vetëm në statusin e sugjerimit. Ai thotë se shqiptarët e Luginës e kanë në dorë ta vendosin këtë punë.

“Qëndrimi i Tiranës ka qenë vetëm sugjerim, që në qoftë se është e mundur që të dalin shqiptarët”. “Kurse qëndrimin e marrin shqiptarët në Luginë të Preshevës. Ata e dinë situatën më së miri se si është në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

“Ka hapësirë që të ulen shqiptarët, por shumë pak ka vullnet që të dalin me një listë”.

Për shkak të problemeve të mëdha që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu është skeptik sesa hapësirë mund të kenë shqiptarët që të dalin në këto zgjedhje.

“Po të gjitha këto hallet dhe problemet  të cilat janë dhe vet diplomatët ndërkombëtar disa herë janë prononcuar se dhuna dhe terrori në Luginë të Preshevës do të thotë është i pranishëm”.

“Do të thotë jemi populli më i diskriminuar në Europë tani për tani”.

“Nuk është implementuar marrëveshja e Konçulit dhe nuk po respektohet amnistia e ish-pjesëtarëve të UÇPMB’së”

“Unë tash nuk e di sesa ka hapësirë për shqiptarët t’i bashkëngjiten kortezhit të zgjedhjeve të vitit 2014 të Serbisë”.

“Kur Serbia po pretendon për të hyrë në Europë, po e pret dritën jeshile, me këtë dhunë dhe me këtë terror po i amniston Europa serbët, kurse shqiptarët po i dënon, unë nuk di se sa ka hapësirë me hy në këto zgjedhje të vitit 2014”.

Musliu thotë se shqiptarët e Luginës edhe më parë e kanë provuar opsionin e shkuarjes në zgjedhje me një listë të përbashkët, por deputeti i vetëm në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi “nuk ka bërë asgjë për shqiptarët”.

“Ne e provuam, dhe për tre mandate ka qenë Riza Halimi, dhe po shohim që nuk ka pasur rezultat ai në këtë drejtim, përveç përfitimeve të veta materiale”.

“Duke u bazuar në të kaluarën, që e kemi pasur deputetin, ai nuk na ka sjellë kurrfarë rezultati në Luginë të Preshevës”, tha Jonuz Musliu për lajmi.net.