“Dje ikën dritat 42 herë” – Meta alarmon për kushtet në burg: Po vdesin të burgosurit…

Kreu i Partisë së Lirisë, pas interpelancës në Kuvend për arrestimin e tij, ka reaguar nga paraburgimi duke shprehur kushtet e vështira në burgun ku ndodhet. Teksa ministrin e Drejtësisë e quan “Diella”, Meta pretendon se vetëm ditën e djeshme energjia elektrike është shkëputur 42 herë. Ai gjithashtu pretendon se mungesa e trajtimit shëndetësor po…

Lajme

03/02/2026 17:00

Kreu i Partisë së Lirisë, pas interpelancës në Kuvend për arrestimin e tij, ka reaguar nga paraburgimi duke shprehur kushtet e vështira në burgun ku ndodhet.

Teksa ministrin e Drejtësisë e quan “Diella”, Meta pretendon se vetëm ditën e djeshme energjia elektrike është shkëputur 42 herë.

Ai gjithashtu pretendon se mungesa e trajtimit shëndetësor po shkakton humbje jete nëpër burgje.

“Dëgjova ‘Diellën’ e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV ‘Jordan Misja’, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu.

A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?

A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?
A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?

E ç’mund të presësh nga ‘Diellat’?

Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik.

Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV ‘Jordan Misja’ për lirinë e fjalës”, shkruan Meta.