Djali i Gucatit kritikon Kurtin që s’reagoi për dënimin: Po lënë të kuptohet se janë gëzuar

Musli Gucati, djali i Hysni Gucatit i cili tashmë është dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burg, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, duke thënë se ky i fundit gjithmonë ka qenë kundër proceseve të mëdha historike të Kosovës.

Lajme

21/05/2022 15:12

Përmes një postimi në Facebook, Gucati, ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar vetëm sepse ata i treguan opinionit publik bashkëpunimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me prokuror dhe kriminel serb, shkruan lajmi.net

“Dy burra u dënuan vetëm pse i treguan opinionit publik bashkëpunimin e Zyrës së prokurorit të specializuar me prokuror dhe kriminel serb ndërsa kryeminstri ynë thoshte së janë filma të inskenuar por nuk është diçka e re kjo sepse gjithmonë kryeminstri aktual ka qenë kundër proceseve të mëdha historike të Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka shtuar se kur dënohen trima dhe çlirimtar nuk vjen asnjë reagim nga qeveria e Kosovës, ndërsa kur dënohen zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje reagon i gjithë kabineti.

“Kur dënohen njerëzit e tyre për keqpërdorim të detyrës zyrtare reagon i gjithë kabineti i tij së shteti është i kapur ndërsa kur u dënuan dy trima dhe çlirimtare asnjë reagim nga qeveria e Kosovës, me mos reagim lënë për të nënkuptuar së i janë gëzuar dënimit të krerëve të OVL-së së UÇK-së”, ka përfunduar Gucati.

Përndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar pak ditë me parë nga Gjykata Speciale me nga katër vjet e gjysëm burg, duke u bërë kështu personat e parë që dënohen nga kjo gjykatë. /Lajmi.net/