Djali i gjinekologut Premtim Gojani flet për rastin e plagosjes së babait
Lekë Gojani, djali i gjinekologut Premtim Gojani që u plagos nga ish-dhëndri i tij, thotë se nuk i dinë shkaqet e atentatit që ndodhi ndaj babait të tij, të martën në mëngjes në lagjen Marigona.
Lajme
I tronditur nga e gjitha ngjarja, për të cilën tregon se ndodhi në prani të motrës së tij, Lekë Gojani i tha gazetës Express se motivet e plagosjes nuk kanë të bëjnë me asnjë borxh.
Megjithatë, sipas tij, ai dhe familja e tij ende nuk e dinë se cka e shtiu ish-dhëndrin që ta qëllojë gjinekologun me tre plumba, ndërkohë që edhe e ka kërcënuar me granatë dore.
“Baba jem kurrë askujt borxh në jetë nuk i ka pas”, tha Lekë Gojani për Gazetën Express.
“Shkaqet nuk i dimë, ama nuk është punë borxhi”, përsëriti ai përmes telefonit.
I biri i Premtim Gojanit, thotë se edhe sikur babai i tij të ketë pasur ndonjë mosmarrëveshje paraprake me ish-burrin e motrës së tij, nuk do ta kishte ndarë me pjesën tjetër të familjes.
“Ato sene nuk i di. Jemi kanë familje, deri para 3-4 vjetëve kur është nda me hallën. Edhe nëse ka pas, babai jem nuk i kish shpreh”, tha ai në një bisedë për Express.
Ndryshe, pas plagosjes së mjekut pranë shtëpisë së tij, Faton Fetiu, me prejardhje nga Gjakova, me nënshtetësi amerikane, është vetë dorëzuar në polici.
Ai paraprakisht kishte plagosur me tre plumba vëllanë e ish-gruas së tij, gjinekologun Premtim Gojani.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të martës, në prani të vajzës së viktimës.
64-vjeçari Fetiu prej vitesh është i ndarë nga motra e gjinekologut. Ata janë prindër të disa fëmijëve që, po ashtu, jetojnë në SHBA.
Premtim Gojani ka marrë plagë në kokë dhe brinjë, nga gjithsej tre plumba që i janë shkrepur.
Sipas mjekëve gjendja e tij është duke u përmirësuar. Plumbat në kokë dhe në zonën e brinjëve i janë larguar atij nga trupi, përmes operacioneve.
Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe një granatë dore e pashpërthyer, të cilën e kishte më vete i dyshuari.
Granata është larguar nga njësiti i specializuar për çminim i Policisë.
Po ashtu, PK-ja ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe ka konfiskuar edhe armën e zjarrit me të cilin dyshohet të jetë përdorur gjatë plagosjes, një elektroshok, pesë gëzhoja dhe 2 fishekë