Diskutime neutrale ndaj statusit

Ivica Dacic thotë se pikat që kanë mbetur pa u trajtuar në këtë raund, do të diskutohen në raundin e radhës. Ai ka thënë se të gjitha çështjet për të cilat është diskutuar, kanë qenë neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Lajme

05/12/2013 17:54

Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic thotë se është e rëndësishme që marrëveshja për gjykatat në Veri të Mitrovicës të arrihet në raundin e radhës të dialogut, që pritet të mbahet 13 dhjetor.

Dacic, pas përfundimi të takimit të sotëm me Kryeministrin Hashim Thaçi në Bruksel, ka thënë se është i kënaqur me përparimin e arritur në aspektin e policisë dhe detajet praktike të cilat janë të rëndësishme për Serbinë.

“Presim që ditëve të ardhshme, të bëhet pranimi i pjesëtarëve tanë në Policinë e Kosovës. Jemi të kënaqur me marrëveshjen të cilën e kemi arritur, pasi që kjo është në interes të serbëve të Kosovës dhe se arritjet e bëra janë neutrale ndaj statusit. Është shumë me rëndësi që pas zgjedhjeve lokale, të vijë deri të implementimi i Marrëveshjes së Brukselit, e kjo do të thotë që funksionimi i gjykatave dhe policisë të bëhet në përputhje me strukturën etnike në Kosovë”.

Ai ka bërë të ditur se mbetet mjaft punë për t’u bërë dhe shpreson që përparimi i mëtejmë në dialog të bëhet më 13 dhjetor.

Dacic ka shtuar se gjyqësore mbetët çështja më e rëndësishme për funksionalizimit të Gjykatës Themelore në Veri të Mitrovicës.

“Çështja është se në cilën mënyrë do të ketë përparim në këtë aspekt. A do të ketë një apo dy Gjykata, një apo dy ndërtesa, a do të respektohet struktura etnike  dhe një mori të çështje të tjera që lidhen me fushën e drejtësisë”, ka thënë Dacic.