Dikur do të kërkohet njohja

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Heinz Wilhelm, thotë se sot nuk po i kërkohet Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por, sipas tij, dikur kjo gjë do të kërkohet. Ai vlerëson përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajme

21/10/2013 20:52

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Heinz Wilhelm, ka qenë i qartë sot kur është deklaruar lidhur me raportet Kosovë-Serbi.

Ai ka pranuar se nga Serbia tash për tash nuk po kërkohet njohja e pavarësisë së Kosovës.

Por, sipas tij, kjo gjë dikur do të kërkohet.

“Ne nuk kërkojmë nga Serbia që sot të pranojë Kosovën. Mirëpo, kjo dikur do të kërkohet. Tani nuk mund të thuhet”, ka thënë Wilhelm.

Ai i ka bërë këto komente gjatë debatit “Serbia në Europë – Europa në Serbi”, i cili është organizuar nga Radio Deutche Welle.

Siç raportojnë mediat serbe, Ambasadori i Gjermanisë ka thënë se Qeveria e Serbisë me fillimin e dialogut me Prishtinën, me ndërmjetësim të BE’së, ka bërë kthesë të rëndësishme në politikën ndaj Kosovës.

Ai ka deklaruar më tutje se tash nuk duhet marrë me spekulimin se çfarë do të ndodhë në fund të bisedimeve për anëtarësim.

Sipas tij, marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën do të jenë të rëndësishme gjatë bisedimeve për pranim të Serbisë në Bashkimin Europian.

“E pranojmë që aktualisht Serbia nuk është e gatshme të pranojë Kosovën, por vlerësojmë përpjekjet dhe përkushtimin e treguar për normalizim të marrëdhënieve. Kjo sigurisht do të sjellë fillimin e bisedimeve në janar”.