Dialogu vazhdon pas zgjedhjeve

Ivica Dacic u tha gazetarëve në Beograd se raundi i ardhshëm i dialogut duhet të mbahet në javën e parë pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Ai sot do të takohet në Luksemburg me Baroneshën Ashton.

Lajme

21/10/2013 08:42

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, tha mbrëmë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, do të vazhdojë muajin e ardhshëm.

Ai u tha gazetarëve në Beograd se raundi i ardhshëm i dialogut duhet të mbahet në javën e parë pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

Sot Dacic do të shkojë në Luksemburg për të qenë i pranishëm në një samit të BE’së ku do të takohet me Përfaqësuesen e Lartë të BE’së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Dacic ka thënë se Kosova nuk do të jetë temë e takimit zyrtar, por për të mund të flitet në margjina të tij.

“Catherine Ashton udhëheq delegacionin e BE’se dhe aty do të jetë edhe Stefan Fule. Ata do ta paraqesin vizionin e BE’së dhe unë do ta paraqes vizionin e Serbisë. Kjo do ta zgjasë relativisht shkurt dhe pastaj do të ketë një konferencë për shtyp. Pas kësaj, megjithatë, do të mbahet një takim në të cilin do të flasim për këtë temë (Kosovën) dhe të gjitha çështjet aktuale të ditëve të fundit do të diskutohen në këtë takim”, ka thënë Dacic.