Dialogu Kosovë-Serbi, Robelli: Përfshirja e SHBA mund të përshpejtojë një “zgjidhje të kënaqshme”

Sipas gazetarit Enver Robelli ndryshimi i presidencës së SHBA-ve mund të ndryshojë edhe angazhimin ndaj dialogut Kosovë-Serbi ku përfshirja e saj mund të përshpejtojë “një zgjidhje të kënaqshme mes palëve. Për sa i përket qëndrimit të BE-së, sipas tij, ndikim domethënës mund të kenë zgjedhjet në Gjermani.

Lajme

26/05/2021 09:00

Robelli, kryeredaktor i gazetës zvicerane “Tages-Anzeiger”, në Euronews Albania  tha se diplomatët e përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd, ku me ardhjen në krye të SHBA-ve të Presidentit Joe Biden mund të ketë ndryshime.

“Me ardhjen e administratës [së Presidentit Joe] Biden do ketë një angazhim të ri të SHBA në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë,” –  komentoi Robelli, i cili ishte i mendimit se kjo përfshirje e SHBA-ve mund t’i interesojë edhe BE-së pasi përshpejton “zgjidhjen e kënaqshme” të konfliktit mes dy vendeve.

Në Prishtinë ka pasur thirrje së fundmi për dërgimin e një përfaqësuesi të posaçëm të SHBA-ve për dialogun. Gazetari Robelli komentoi se aktualisht këtë rol mund ta kryejë edhe i dërguari për çështjet e Ballkanit Matthew Palmer dhe përveç tij edhe Philip Reeker.

“Zoti Palmer e ka një mandat për të ndërmjetësuar në Ballkan, mirëpo ky mandat u zbeh disi pasi Zoti Grenell u ngarkua si i dërguar personal, por në radhë të parë Palmer është i ngarkuar, gjithashtu kemi edhe Philip Reeker, ish-ambasador në Maqedoni të Veriut, njohës i mirë i rajonit dhe që kanë poste të larta në departamentin amerikan,” – u shpreh Robelli.

Duke komentuar më pas qëndrimet e BE-së, Robelli shfaqi rezerva ndaj përfaqësuesit për politikë të jashtme Josep Borrell, i cili sipas tij ka shprehur në një takim qëndrimin e hapur ndaj ndryshimeve të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas Robellit qëndrimi i Brukselit mund të ripërcaktohet pas zgjedhjeve në Gjermani.

“Edhe brenda BE-së duhet të ketë qartësim, por mendoj se nuk do të ketë qartësim deri sa të ketë zgjedhje në Gjermani, Zonja Merkel duket se e ka kryer misionin e saj dhe duhet pritur qeveria e re gjermane, dhe të shpresojmë se do të kenë sidomos të gjelbërit, të ambientuar me konfliktin e Kosovës, të gjelbërit do të kenë një rol të caktuar në politikën e jashtme,” – shtoi Robelli.