DHTIK kërkon zhbllokimin e procedurave për shfrytëzimin e pronës publike
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i ka kërkuar Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave që lidhen me shfrytëzimin e pronës publike dhe për përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike. DHTIK ka shprehur shqetësim për vonesat dhe pengesat administrative me të cilat…
Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i ka kërkuar Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave që lidhen me shfrytëzimin e pronës publike dhe për përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.
DHTIK ka shprehur shqetësim për vonesat dhe pengesat administrative me të cilat po përballen bizneset, duke theksuar se ato po ndikojnë në aktivitetin ekonomik, humbjen e tregut dhe vendeve të punës, si dhe në investime dhe sigurinë juridike të kompanive, raporton lajmi.net
Sipas DHTIK-së, edhe pse Qeveria e Kosovës u ka dhënë miratimin tri kompanive për shfrytëzimin e pronës publike, ato ende nuk kanë mundur të fillojnë aktivitetin. Arsyeja, sipas Dhomës, lidhet me kushtëzimin e kontratave nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës.
Komunikatë e plotë:
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesë për ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave që lidhen me shfrytëzimin e pronës publike dhe për përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.
DHTIK shpreh shqetësimin e saj për vonesat dhe pengesat administrative me të cilat po përballen bizneset, e cila po ndikon negativisht në aktivitetin ekonomik, humbje të tregut, të vendeve të punës, të investime dhe sigurinë juridike të bizneseve.
Pavarësisht se Qeveria e Kosovës u ka dhënë dritën e gjelbër tri kompanive që të marrin në shfrytëzim pronën publike, ato vazhdojnë të përballen me pengesa që ua pamundësojnë fillimin e aktivitetit, pasi Agjencia e Pyjeve të Kosovës i ka kushtëzuar kontratat me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës. Kjo procedurë do të duhej të përfundonte para nënshkrimit të kontratave.
DHTIK thekson se, për shkak të mosfinalizimit të këtyre procedurave, kompanitë nuk kanë mundur të vazhdojnë me marrjen e lejeve të nevojshme pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), duke mbetur të bllokuara edhe pas marrjes së kontratave.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura është kompleksiteti i procedurave. Për shkak të burokracisë së theksuar, një biznes mund të presë pothuajse një vit për përfundimin e procesit të marrjes së lejes për shfrytëzimin e pronës publike.
“Janë me qindra kërkesa të deponuara prej kohësh në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos përcillen në Zyrën për Administrimin e Pronës Publike për trajtim të mëtejshëm. Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, është evidentuar rritje e vazhdueshme e importit të zhavorrit, ku Serbia prin në listën e vendeve nga të cilat importohet ky material. Për DHTIK-në, vonesat në aktivizimin e kapaciteteve vendore ndikojnë në kostot e kompanive dhe në realizimin e projekteve dhe investimeve”.
DHTIK kërkon që procedurat të rishikohen në mënyrë tërësore, me qëllim eliminimin e burokracisë së panevojshme, reduktimin e numrit të institucioneve të përfshira dhe shkurtimin e afateve për trajtimin e kërkesave.
Dhoma e konsideron urgjente përfundimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike, si dhe vendosjen e një mekanizmi të qartë të koordinimit ndërinstitucional dhe të përcjelljes së kërkesave, me afate të përcaktuara për secilin institucion, me synim krijimin e një kuadri më të qartë, më efikas dhe më të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët./Lajmi.net/