Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dorëzon në Qeverinë e Kosovës kërkesën që të shtyhet procesi i liberalizimit të tregut energjetik. Në konferencë të jashtëzakonshme për media, para objektit të Qeverisë, drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se ky proces po vazhdon të përcillet me shkelje. “Kemi edhe paralajmërime por…

Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dorëzon në Qeverinë e Kosovës kërkesën që të shtyhet procesi i liberalizimit të tregut energjetik.
Në konferencë të jashtëzakonshme për media, para objektit të Qeverisë, drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se ky proces po vazhdon të përcillet me shkelje.
“Kemi edhe paralajmërime por edhe vet kërcënimet nga KEK-u sa i përket furnizimit me energji elektrike, e cila tashmë po u dërgon të gjitha bizneseve njoftimet kërcënuese e do tua ndërpres energjinë elektrike me 30 të këtij muaji. Asnjë biznes deri më sot nuk e ka marrë asnjë faturë sa u përket shpenzimeve që i ka bërë në periudhën qershor edhe korrik. Ky është një fakt i radhës qe dëshmon se i gjithë procesi i liberalizimit të energjisë elektrike në Kosovë është përcjell dhe vazhdon të përcjellët me një numër të madh të shkeljeve”, tha ai.
ZRRE dje ka njoftuar bizneset lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), transmeton kosovapress.
Sipas ZRRE-së të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025..
Po ashtu edhe KEK ditë më parë ka njofuar se 30 korriku është data e fundit që do të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Në anën tjetër, më 12 qershor 2025 Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e saj ka caktuar subjektin juridik KEK – si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë gjashtë (6) mujore, nga 31.07.2025 deri më 30.01.2026.