Në vjeshtën e vitit 1989, shqiptarët e Kosovës kanë qenë populli më i pafuqishëm në Evropën e atëhershme.
Shqiptarët këndejpari, ishin shndërruar në turmë. Në mënyrë të dhunshme.
Autonomia politike u shkel me tanke, me një mbledhje të fabrikuar të Kuvendit, me dhjetëra të vrarë në protestat paqësore.
Shqiptarët në Kosovë mbetën pa institucione, pa atë organizimin zyrtar politik (në kuadër të Lidhjes komuniste), pa Kuvend dhe pa Qeveri, pa media të cilat do të mund ta tregonin të vërtetën për ngjarjet në Kosovë, pa asnjë mundësi që njëlloj si njësitë federale në Veri të vendit, apo, si Sllovenia dhe Kroacia, përmes strukturave zyrtare të nisnin të përgatisnin ndryshimin e madh politik.
Serbia në atë kohë, në vjeshtën e vitit 1989 pra, i kishte të gjitha, me organizimin politik, me polici, me Sigurimin shtetëror, me forcën ushtarake, me mediat.
Shqiptarët si popull, ishin mbështetur për muri. Kush nuk mund të dinte se çfarë do të ndodhë me ta. Por, gjë e mirë nuk ju shkruhej: As historikisht, as politikisht.
Por rënia e një Muri, atij të Berlinit, me 9 nëntor të atij viti, do ta shënonte atë kthesën e madhe historike dhe politike në Evropë, në ish-Jugosllavi, dhe në Kosovë.
Këtë ditë të madhe të Evropës dhe të Perëndimit, qytetarët e Prishtinës do ta prisnin në rrugë. Natyrisht, jo duke festuar fundin e Komunizmit, por në demonstrata, të cilat në atë stinë, këtu te ne, bëheshin për çdo ditë të lume.
Ishte kjo shenjë e qartë që shqiptarët nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.
Nuk e kishim asokohe kënd prapa vetes. Askend.
Por, kishim një vullnet të çuditshëm, bindjen që nuk na ka mbetë gjë tjetër pos që të nisim të organizohemi vet politikisht, duke marrë si shembull përvojat e atëhershme në Slloveni dhe në Kroaci.
Ne nisëm të kuptojmë çka po ndodhë në Evropë, pas prishjes së Murit të Berlinit. Ishte ky një rast i madh, një mundësi e jashtëzakonshme, që të ofrohet një herë në njëqind vjet.
E dinimi që më keq nuk ka ku të shkoj, që duhet nisë atë përpjekjen a ndërmarrjen e ndërrimit të epokave, por askush nuk ka mundur të di se çka do të ndodhë krejt, për të mbërri te situata kur ne vet do të vendosnim për fatin tonë.
Askush nuk ka mundur të supozojë a të parashikojë, në atë vjeshtën e vitit 1989, që vetëm dhjetë vjet më pas (në kontekstin e rrjedhave historike, dhjet vjet janë me gjasë si dhjetë javë në jetën e një individi), Kosova do të bëhej vend i lirë, dhe që në vitin 2008-të, Kosova do të bëhej shtet i pavarur.
Kryesorja, e dinim që nuk mund të rrinim kot së koti, dhe të prisnin goditjen e fatit, i cili do të vinte në trajtë të një vetëtime nga qielli i pastër.
Kryesorja, një popull i tërë ishte i gatshëm që të vihet pas dhjetëra apo qindra intelektualëve, gazetarëve dhe publicistëve, të cilët nuk dinin gjë për politikën, por të cilët do të nisin t’i krijojnë subjektet dhe partitë e para politike në vend, duke dyzuar, atë momentin kyç të çlirimit kombëtar, me frymën e kohës në gjithë Evropën, apo, me rënien e Komunizmit dhe ngadhnjimin e Demokracisë.
Zatën, nuk mund të ndaheshin dot projekti i çlirimit të Kosovës nga demokratizimi i saj.
Ky do të jetë ai momenti që do të na bashkojë me SHBA-në, me Evropën, me Perëndimin, dhe do ta zhbënte atë lidhjen tradicionale të Serbisë me Perëndimin.
Lëvizja politike shqiptare që nisi në vjeshtën e vitit 1989, me krijimin e partive dhe organizatave të ndryshme, ku më e fuqishmja do të del LDK-ja me liderin e saj historik Presidentin Dr.Ibrahim Rugovën, ka qenë, këtë nuk do të duhet harruar kurrë, një Lëvizje autentike, e bërë nga vendimmarrja e dhjetëra apo qindra intelektualëve të cilët takoheshin dhe bisedonin në kafeteritë e Prishtinës.
Fare të pakta janë veprimet e kësisojta tek organizimet politike të kombit shqiptar, kudoqoftë, në dy shekujt e fundit. Me gishtat e një dore mund të numërohen në realitet, ngjarjet e këtilla që janë shënuar në Kosovë apo në Shqipëri.
Nuk do të mbërrinim kurrë në qershorin e vitit 1999, dhe as në shkurtin e vitit 2008, po mos të ishte dhjetori i vitit 1989.
Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net