Detaje – Gjenden municion e pajisje ushtarake në pronën e “Gandit”, i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës në rastin e Banjskës
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi që janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi në pronën e Nemanja Radivojeviç i njohur si “Gandi”. Ai ka thënë se ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës, që për pasojë ka humbur jetën Afrim Bunjaku në Banjskë…
Lajme
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi që janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi në pronën e Nemanja Radivojeviç i njohur si “Gandi”.
Ai ka thënë se ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës, që për pasojë ka humbur jetën Afrim Bunjaku në Banjskë më 24 shtator 2023.
“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë. Pajisjet e gjetura sot janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës. Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Në lidhje me rastin, sot detaje ka dhënë edhe Policia e Kosovës të cilët kanë njoftuar saktësisht se çka është gjetur.
Rreth orës 09:45, njësia e hetimeve e Stacionit Policor të Zveçanit ka identifikuar një rimorkio të braktisur, brenda së cilës janë gjetur dy thasë që përmbanin pajisje të ndryshme ushtarake dhe municion, raporton lajmi.net
Sipas njoftimit zyrtar, në vendin e ngjarjes janë konfiskuar:
1 uniformë ushtarake kamufluese
5 karikatorë me gjithsej 132 fishekë të armës së gjatë AK-47
5 fatrolla për mbajtjen e karikatorëve në gjoks
4 palë pantallona ushtarake
4 xhaketa ushtarake
3 fotrolla për radiolidhje
1 jelek antiplumb
2 rripa brezi ushtarak
1 jelek taktik
1 çantë taktike
1 helmetë e gjelbër
1 kapelë
1 dritë rrotative
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, ndërsa prokurori i Shtetit është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra. Me urdhër të tij, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person, por dyshohet se pajisjet e gjetura mund t’i përkasin një personi tashmë në kërkim në lidhje me ngjarjen e armatosur të njohur si rasti “Banjska”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më 24 shtator të vitit 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi – deri tek ngritja e aktakuzës ndaj 45 personave
Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Veri të Kosovës, çoi në gjetjen e një arsenali të madh armësh të kontrabanduara në Kosovë, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.
Në përmasa tejet të mëdha, policia gjeti raketahedhës, granatahedhës, pushkë të shumta automatike, pushkë snajper, automjete ushtarake, eksplozivë, detonatorë e shumë armë të kalibrit më të vogël.
Më 27 qershor 2024, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur në një përgjigje se deri tani janë ngritur urdhër-arreste vendore ndaj 41 personave të dyshuar që janë përfshirë në këtë sulm terrorist.
Si dhe për shkak të hetimeve të plota në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka qenë e nevojshme sipas policisë që disa prova të dërgohen jashtë vendit, por që s’është pranuar akoma përgjigje lidhur me ekzaminimin e tyre.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale deri tani ka ngritur urdhër-arreste vendore kundër dyzet e një (41) personave të dyshuar, si dhe tridhjetë e nëntë (39) urdhër- arreste ndërkombëtare”, ishte thënë në përgjigjen e tyre për media.
Ndërsa, është ngritur kallëzim penal kundër 45 personave duke përfshirë edhe ndaj tre 3 personave qe gjenden nën masën e paraburgimit.
Nga policia janë përmendur veprat penale për të cilat dyshohen këta persona.
“Vrasje e rëndë, sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, kryerja e veprës terroriste”.
“Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, shpëlarja e parave, financim i terrorizmit”.
Nga policia ishte thënë se janë identifikuar 48 persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë sulm.
“Përfshirë në këtë numër edhe tre (3) personat e neutralizuar gjatë operacionit kundër terrorizmit të datës 24 shtator 2023”.
Më 16 shkurt 2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të gjithë terroristët e Banjës. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë në Facebook: