Dështon miqësorja Kosovë – Shqipëri

Kosova nuk do të zhvillojë ndeshjen e paralajmëruar miqësore me Shqipërinë pasi krerët e dy federatave nuk duan të përçajnë tifozërinë shqiptare.

Sport

11/04/2015 11:52

Miqësorja e planifikuar për në qershor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të zhvillohet.

Kjo, pasi krerët e dy federatave nuk duan të përçajnë tifozërinë shqiptare, bëjnë të ditur të premten burime të “Kohës Ditore”. Miqësorja nuk ishte e zyrtarizuar, por nga të dy federatat ishte thënë se do të luhet në terminin e lirë të FIFA-s për miqësore gjatë muajit qershor.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, konfirmoi se nuk do të ketë miqësore, pa dashur të lëshohet në arsyetime. Ai ngul këmbë se kjo ndeshje nuk ishte e konfirmuar dhe nuk ka se si të quhet e anuluar.

“Ne mund të luajmë kur të duam, por tash nuk jemi të interesuar as ne si federatë e as FSHF-ja”, ka thënë Vokrri të premten.

Në fakt, Kombëtarja shqiptare përcillet me shumë interesim në Kosovë, shumë më shumë se që përcillen ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.