Dështimi i zgjedhjeve fatal për Kosovën
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, pohon se dështimi i zgjedhjeve do të jetë fatal për Kosovën. Thotë se negociatat për MSA'në nisin në mesin e muajit tetor.
Lajme
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pritet të fillojnë në pjesën e dytë të muajit tetor dhe të përfundojnë në pranverën e vitit 2014.
Kështu raportoi sot para Komisionit për Integrime Evropiane, Ministrja Vlora Çitaku.
Ajo deklaroi se Kosova duhet të bëjë kujdes të madh në zgjedhjet e 3 nëntorit, pasi që, sipas saj, dështimi i zgjedhjeve do të ishte fatal për Kosovën.
“Presim që negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të fillojnë në vjeshtë të këtij viti, përkatësisht në pjesën e dytë të muajit tetor. Synojmë që ato të përmbyllen deri në pranverën të vitit të ardhshëm”.
“Në bashkëpunim me Komisionin Europian, ne kemi rënë dakord për një kalendar jashtëzakonisht intensiv të negociatave”.
“Në kuadër të procesit negociator, jemi dakorduar që të mbahen katër takime në nivele të Kryenegociatorëve. Ato do të mbahen në muajin tetor, nëntor, shkurt dhe në fund të muajit prill, maj”.
Vlora Çitaku foli edhe për koston e kësaj marrëveshjeje.
“Impakti buxhetor i MSA’së, sipas parashikimeve të fundit, pritet të jetë rreth 20 milionë euro. Mirëpo, përfitimet institucioneve, përkatësisht qytetarëve të Republikës së Kosovës, do të jenë shumëfish më të mëdha”.
Duke u ndalur te procesi zgjedhor i 3 nëntorit, Ministrja Çitaku paralajmëroi se dështimi i këtyre zgjedhjeve do të ishte fatal për Kosovën.
“Përtej rezultateve të procesit zgjedhor, pavarësisht kush fiton apo humb, në rast se ne nuk prodhojmë një proces zgjedhor të pacenueshëm, në rast se ne nuk prodhojmë një proces zgjedhor kredibil dhe pa defekte, pasojat për Kosovën dhe për të ardhmen e saj do të jenë fatale.”
“Ne kot do të nënshkruajmë marrëveshjen e MSA’së, kot do të përmbushim reformat teknike, në rast se dështojmë që përmes të një procesi zgjedhor të krijojmë klimë pozitive politike në strukturat vendimmarrëse në Bashkimin Europian”.