Dështimi i seancave për shkak të përkthyesve, KGJK-ja hap konkurs

Mungesa e përkthyeseve është një nga arsyet si shkak të cilave në Kosovë dështojnë të mbahen seanca gjyqësore. Këtë problem, Këshilli Gjyqësor i Kosovës po synon ta zgjidhë, me angazhimin e tetë përkthyeseve të rinj. “Kam kontaktu në mëngjes për përkthyes…” Në mungesë të përkthyesit, në Gjykatën Themelore të Pejës, para pak javësh dështoi të…

Lajme

26/03/2023 22:29

Mungesa e përkthyeseve është një nga arsyet si shkak të cilave në Kosovë dështojnë të mbahen seanca gjyqësore. Këtë problem, Këshilli Gjyqësor i Kosovës po synon ta zgjidhë, me angazhimin e tetë përkthyeseve të rinj.

“Kam kontaktu në mëngjes për përkthyes…” Në mungesë të përkthyesit, në Gjykatën Themelore të Pejës, para pak javësh dështoi të nis gjykimi në rastin Brezovica.

Sikur Peja, mungesë të përkthyeseve kanë edhe Gjykatat e tjera gjithandej Kosovës.

Ndonëse më mirë se në të kaluarën, gjendje e mirë nuk është as në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Tani kanë filluar punën edhe gjyqtarët e rinj. Prapë se prapë, shtatë përkthyes për mbi 120 gjyqtarë është numër i vogël. Sepse ne i kemi të gjitha departamentet, është Gjykata më e madhe, kemi departamentin administrativ, kemi departamentin special, që Gjykatat në qytetet e tjera nuk e kanë, e aty është edhe puna më voluminoz”, ka deklaruar Blerta Krusha – Përkthyese.

Për të përmirësuar situatën, Këshilli Gjyqësor tashmë ka hapur një konkurs.

“Për tetë (8) pozita konkursi është publikuar dhe është duke u zhvilluar procedura e rekrutimit. KGJK, varësisht nga nevojat ka rritur në mënyrë te vazhdueshme numrin e pozitave për përkthyes për të plotësuar nevojat e gjykatave”, ka thënë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Numri i pamjaftueshëm i përkthyeseve, Lavdim Makshana nga IKD, thekson se ndër vite ndikoi në vonesa të lëndëve, RTV Dukagjini.

“Për shkak të volumit të madh të shkresave, kemi pasur disa raste kur përkthyesit janë vonuar në përkthimin e shkresave penale, apo civile. Kjo ka ndikuar që rastet të shtyhen për një afat më të gjatë dhe kjo ka ndikuar që seancat të mos mbahen brenda afateve të caktuara ligjore”, ka theksuar Lavdim Makshana – IKD.

E Blerta Krusha tregon se as kushtet në seanca nuk janë të mira për ta.

“Në seanca kur shkojmë, kushtet nuk i kemi fare të mira. Sepse ne si përkthyes nuk i kemi as kabinat, nuk kemi as dëgjuese, as mikrofon që duhet të kemi. Ne duhet vazhdimisht të ulemi afër palës që t’u pëshpëritim në vesh ose me e ngritë zërin për me dëgjua e gjithë salla”, ka thënë Blerta Krusha – përkthyese.

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka numrin më të lartë të përkthyeseve, gjithsej 16-të.