Dëshmitari: Të akuzuarin Trajkoviq e njoha paslufte kur veshi uniformën e Policisë së Kosovës, ishte i sjellshëm me ne

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën në gjykimin për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, para trupit gjykues dëshmoi dëshmitari i mbrojtjes, Sadat Gashi. Ai tha se i akuzuari Trajkoviq ka qenë i sjellshëm me fqinjët e tij shqiptarë. Dëshmitari Gashi u përgjigj në pyetjet e palëve në procedurë, ku theksoi se të akuzuarin Trajkoviq…

Lajme

29/10/2025 16:43

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën në gjykimin për krime lufte ndaj Sladan Trajkoviq, para trupit gjykues dëshmoi dëshmitari i mbrojtjes, Sadat Gashi. Ai tha se i akuzuari Trajkoviq ka qenë i sjellshëm me fqinjët e tij shqiptarë.

Dëshmitari Gashi u përgjigj në pyetjet e palëve në procedurë, ku theksoi se të akuzuarin Trajkoviq e njeh si polic paslufte në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.

“E kam njohur paslufte kur e ka veshë uniformën e Policisë së Kosovës, se ka punu në Lagjen e Boshnjakëve, ka qenë polic i Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

I pyetur nëse e kishte parë apo të kishte dëgjuar për të akuzuarin Trajkoviq në Burgun e Smrekonicës gjatë luftës, dëshmitari e mohoi këtë.

“Jo, nuk e kam pa”, tha Gashi.

I pyetur nga vetë i akuzuari Trajkoviq nëse ai ishte i dashur për fqinjët e tij shqiptarë, dëshmitari i propozuar nga vetë ai, ia pohoi këtë.

“Sa i përket me neve po, me neve u kanë i sjellshëm”, tha Gashi.

Paraprakisht, në sesionin e paradites ishte planifikuar që të dëgjohet dëshmitari i Prokurorisë, Sylejman Mustafa, mirëpo mbrojta e të akuzuarit Trajkoviq, avokatët Bogdan Laziq dhe Zhivojen Jakanoviq deklaruan se nuk e kanë pranuar të përkthyer deklaraten e dëshmitarit Mustafa, andaj nuk mund të vazhdojnë me dëgjimin e tij.

Lidhur me këtë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, mori aktvendim me të cilin dëshmitari Mustafa do të dëgjohet në një datë tjetër,

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi