Dëshira e LDK’së për Fitoren e Madhe
Lutfi Haziri thotë se LDK, për të qenë pa konop në fyt, duhet t’i fitojë zgjedhjet vetë. Çdo formulë tjetër, që do të duhet ta ndajë pushtetin, e quan fitore të vogël. Me VV do të bënin koalicion atëherë kur LDK t'u japë prioritet integrimeve kombëtare.
Lajme
Lutfi Haziri mendon se LDK duhet t’i fitojë zgjedhjet e vetme, duke e konsideruar se kjo do të ishte fitorja e madhe e dëshiruar nga ta. Në të kundërtën, fitorja në koalicion me ndonjë subjekt tjetër, për ta është e vogël.
Këto komente, ai i bëri në InfoMagazinë të Klan Kosovës, ku foli për LDK’në dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Lutfi Haziri, i cili është Kryetar i Gjilanit, tha se partia e tij është e hapur për kuadro të reja që do të aderojnë në LDK para zgjedhjeve.
“LDK këto zgjedhje do t’i fitojë vetë. Ose duhet t’i fitojë vetë të jetë pa lak, pa konop në fyt. Dhe pastaj i zgjedh partnerët për të siguruar partneritet në qeverisje.”
“LDK’së po i kthehet mundësia e ambienti politik të bëjë fitore të madhe sikur në vitin 2000. Çdo lloj formule tjetër, që do të duhet ta ndajë pushtetin, do të jetë fitore e vogël e LDK’së”.
“Këtë strukturë aktuale e cila e ka sjell LDK’në në këtë nivel, për ta ngritur duhet të hapet. Ardhjet nuk mund të kushtëzohen, ardhjet duhet të jenë të natyrshme. LDK’ja ka sjell dhe kanë hyrë njerëz”.
“Nuk ka asnjë lloj mbyllje apo ‘rezistencë’”.
Lutfi Haziri, në vijim të intervistës së tij për InfoMagazinë të Klan Kosovës, ka kritikuar Qeverinë aktuale, duke thënë se ajo tashmë është shtjerrë dhe nuk ka çfarë të japë.
Ai, madje, ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë e mocionit mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi.
“Unë nuk e përjashtoj kurrë mundësinë e mocionit. Ekzistojnë shumë arsye që nuk duhet të përjashtohet. Në emër të interesave nacionale. LDK nuk mundet të jetojë në këndin e vdekur si parti politike”.
“Unë nuk e kisha përjashtuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Për këtë duhet të kujdeset Kryeministri. Ne si liderë të opozitës duhet të jemi kryesorë në raport me zhvillimet”.
Por, a e sheh LDK vetën në koalicion me ndonjë subjekt tjetër politik në vend?
“Nëse mandatin e ardhshëm LDK u jep prioritet integrimeve kombëtare, Vetëvendosje është koalicion më i qëndrueshëm. Nëse i jep rëndësi normalitetit me Maqedoninë a Integrimeve Europiane, vije në shprehje koalicioni me parti më të vogla politike”.
“Asgjë tjetër nuk na ofron tjetër pos integrimit kombëtar”.