“Der Standard”: Vuçiqi po kopjon Putinin me dorëheqjen, BE-ja është dashur ta ndëshkojë Serbinë më herët
Gazeta austriake “Der Standard” ka publikuar një koment lidhur me dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si “plotësisht të pakuptimtë”. Sipas gazetës austriake, pavarësisht nëse Vuçiqi mban apo jo një post zyrtar, pushteti në Serbi vazhdon të jetë i përqendruar tek ai. “Në fund, pavarësisht nëse Vuçiqi mban një funksion apo…
Lajme
Gazeta austriake “Der Standard” ka publikuar një koment lidhur me dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si “plotësisht të pakuptimtë”.
Sipas gazetës austriake, pavarësisht nëse Vuçiqi mban apo jo një post zyrtar, pushteti në Serbi vazhdon të jetë i përqendruar tek ai.
“Në fund, pavarësisht nëse Vuçiqi mban një funksion apo jo, dhe pavarësisht nëse teknikisht është kreu i shtetit apo i qeverisë, fijet gjithmonë çojnë tek ai. Vuçiqi ka gjasa të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve, ashtu siç ka bërë edhe më herët”, shkruan “Der Standard”.
Gazeta austriake e krahason këtë mënyrë të veprimit me modelin e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ai thjesht po zbaton ‘recetën e Putinit’ – edhe diktatori rus, në mënyrë alternative, ka mbajtur postet e kryeministrit dhe presidentit”, thuhet në koment.
“Der Standard” vlerëson se zhvillimet rreth Vuçiqit tregojnë, sipas saj, se sa autoritare është bërë Serbia dhe në çfarë mase është shpërfillur Kushtetuta.
Gazeta kujton gjithashtu se në Serbi priten zgjedhjet e 25 tetorit dhe se partia e Vuçiqit, sipas sondazheve të cituara në tekst, ka rreth 48 për qind mbështetje, ndërsa lista e studentëve, e dalë nga protestat, rreth 37 për qind.
Në koment, “Der Standard” kritikon edhe Bashkimin Evropian, duke argumentuar se BE-ja është dashur t’i ndërpresë negociatat e anëtarësimit me Serbinë shumë më herët.
“BE-ja është dashur t’i ndërpresë negociatat me Serbinë që shumë vite më parë, më së voni në momentin kur regjimi përdori forcën kundër qytetarëve të vet, ose, gjithsesi, jo më vonë se para tre vjetësh, kur formacione paraushtarake serbe kryen një sulm terrorist në Kosovën fqinje”, shkruan gazeta.
Sipas saj, pavarësisht këtyre zhvillimeve, zyrtarë të lartë të BE-së vazhdojnë të vizitojnë Beogradin.
Gazeta austriake përmend edhe pritjen që presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri Vuçiqit në Paris, pasi Serbia organizoi një ceremoni madhështore mortore për Ratko Mlladiqin, i dënuar për krime lufte.
Në fund, “Der Standard” e lidh situatën politike në Serbi edhe me qasjen e vendeve evropiane.
“Edhe sistemi i Vuçiqit, edhe shtypja e forcave demokratike në Serbi, për fat të keq, janë produkt i injorancës dhe mungesës së strategjisë nga pjesa tjetër e Evropës”, përfundon komenti i gazetës austriake.