Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës mbajti dje seancën e parë plenare, në të cilën u miratua një deklaratë për ish-krerët e UÇK-së dhe u caktuan komisionet parlamentare.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto komisione do të kenë mundësi të zhvillojnë punën e tyre në këtë mandat, pasi vazhdimësia e legjislaturës varet drejtpërdrejt nga procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës, raporton lajmi.net.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Nëse deri atëherë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin, ai duhet të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Kjo situatë e bën të pasigurt edhe funksionimin e mëtejshëm të legjislaturës së 11-të, e cila, ndonëse ka nisur punën me seancën e parë dhe ka formuar komisionet parlamentare, mund të përballet me shpërndarjen nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Partia Demokratike e Kosovës, çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë e dërgoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket Kuvendit, që u konstituua më 13 shtator pa zgjedhjen e nënkryetarit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria, Gjykata Kushtetuese tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, ndërkaq, hodhi poshtë kërkesën për masë të përkohshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi dy ditë pas vendimit te Gjykatës, tha se në rast se nuk zgjidhet presidenti deri me 6 tetor, vendi shkon në zgjedhje të reja.
Kurti deklaroi gjithashtu se çdo zgjedhje e re do të jetë përsëri për Parlamentin dhe qeverinë, jo për presidentin. Ai theksoi se presidenti zgjidhet nga Parlamenti.
“Qytetarët kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt politik në Parlament. Ata nuk i kanë dhënë përgjegjësi absolute askujt; prandaj, secili subjekt politik mban përgjegjësi në përpjesëtim me peshën e votës së qytetarëve. Ne tashmë kemi një Kryetar Parlamenti dhe një qeveri të zgjedhur, dhe ky Parlament mund t’i japë vendit një president, qoftë burrë apo grua. Duhet ta kuptojmë se Kosova nuk mban zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të ishin përsëri për Parlamentin dhe qeverinë, jo për presidentin, sepse presidenti zgjidhet nga Parlamenti. Pse duhet të shkojmë përsëri në zgjedhje për të formuar Parlamentin edhe një herë, vetëm që ai Parlament të mos arrijë të zgjedhë një president? Nuk duhet të vazhdojmë të shkojmë në zgjedhje vetëm për të konfirmuar të njëjtat rezultate”, tha ai.
Pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, i menjëhershëm ishte reagimi i partive politike.
Deputet i i PDK-së, Përparim Gruda, tha se “vendimi i Gjykatës konfirmon parimin se afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar, për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, shkroi Gruda.
Deputeti Vetëvendosjes, Vigan Qorrolli në në reagimin e tij tha se “Gjykata Kushtetuese e tha shumë qartë: Kuvendi është legjitim dhe Qeveria është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën. Brenda dy javësh, deri më 6 tetor, duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Pra, PDK, LDK e AAK: ose ulemi, votojmë dhe e përmbyllim këtë proces institucional, ose vendi shkon në zgjedhje në mesin e nëntorit”, shkroi Qorrolli.
Ndërkaq, partia tjetër opozitare Aleanca tha se “Gjykata konstatoi atë që ky subjekt ka argumentuar se janë konsumuar afatet për konstituimin e Kuvendit”, por megjithatë kjo parti tha se “vendi po shkon drejt zgjedhjeve” dhe për këtë fajësoi Albin Kurtin.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se presidenti duhet të jetë apolitik.
Ajo ka thënë se në situatën në të cilën gjendet Kosova një president i tillë do të ishte zgjidhja më e mirë.
“Pra, po rikthehem te qëndrimi: presidenti duhet të jetë president që nuk duhet të jetë në parti politike. Edhe në këtë situatë që jemi, do të ishte më e mira”, ka deklaruar ajo./Lajmi.net/